Minatorët e Stan Tërgut kanë hyrë në grevë të re – të tretën brenda këtij viti – si pasojë e mosekzekutimit dhe vonesës së pagave. Në Sindikatë thanë se greva e nisur që prej njëmbëdhjetë ditësh do të vazhdojë, derisa atyre të mos u dalin pagesat. Në menaxhmentin e Trepçës u ankuan për mungesë të fondeve teksa e bënë zotimin se rrogat do të jepen së shpejti
Për të tretën herë brenda këtij viti, minatorët e njësisë së Stan Tërgut kanë ndërprerë punën, si pasojë e mosekzekutimit të serishëm të pagave.
Në Sindikatën e Pavarur të Minatorëve të Trepçës, thanë se greva e re e nisur që prej njëmbëdhjetë ditësh, do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave për ekzekutimin e pagave të plota për minatorët.
Ibrahim Januzi, përfaqësues i kësaj Sindikate, është ankuar se marrëveshja e arritur vitin e shkuar me deputetë të Kuvendit nuk ka gjetur zbatim.
“Rreth 1200 punëtorë janë në grevë, ndërsa unë flas për njësinë e Stan Tërgut, ku 700 punëtorë janë në grevë për mosrealizim të pagave apo vonesave që na kanë përcjellë gjatë gjithë këtij viti”, ka thënë Januzi. “Minatorët po i qëndrojnë strikt marrëveshjes së arritur me deputetët, e cila nuk po realizohet nga menaxhmenti. Kemi mungesë të kushteve bazike, por më kryesorja jemi pa paga”.
Ai e shprehu vërejtjen se me gjithë takimet që janë mbajtur me përfaqësues të Menaxhmentit të Trepçës mbi pakënaqësitë, minatorët nuk kanë marrë përgjigje se kur mund të pritet ekzekutimi i pagave.
“Menaxhmenti ka ardhur para dy ditëve, hera e parë që kanë komunikuar me minatorët, por nuk kanë dhënë diçka konkrete se kur mund t’i marrin pagat. Si rezultat i kësaj nuk u arrit pajtueshmëri të nisë puna. Menaxhmenti po thotë se nuk ka mundësi të paguajë pagat si rezultat i mungesës financiare, pasi ndërmarrja është futur në borxhe të mëdha, pasi përmbaruesi po i merr obligimet që i kemi si shoqëri aksionare”, ka thënë Januzi.
E kryeshefi i Ndërmarrjes “Trepça”, Bashkim Kurti, tek e përmendi problemin e vazhdueshëm me mungesë të fondeve, tha për KOHËN se kërkesa e minatorëve pritet që të përmbushet së shpejti.
“Pagat e minatorëve nuk janë ekzekutuar për shkak të mungesës së fondeve. Problemet ndër vite në Trepçë, si mungesa e investimeve kapitale, e kanë sjellë në këtë gjendje, si pasojë e kësaj erdhëm në gjendjen që jemi. Në bashkëpunim me Qeverinë dhe Ministrinë e Ekonomisë, pagat do të ekzekutohen së shpejti”, ka thënë Kurti.
Për shkakun e mosekzekutimit apo të vonesës së pagave, minatorët patën hyrë në grevë për disa ditë edhe gjatë qershorit dhe prillit të sivjetmë. E në tetorin e vitit të shkuar ata edhe u patën mbyllur për dhjetë ditë radhazi në horizontet e Trepçës.
Greva e vitit të shkuar është ndaluar pas një marrëveshjeje të arritur me disa deputetë të partisë në pushtet, në të cilën parashihej që pagat e minatorëve të mos vonoheshin më shumë se më datën 10 të çdo muaji.