Arbëri

Minatorëve në Kishnicë iu ekzekutuan pagat e marsit, presin të zbatohen edhe kushtet e tjera

Minatorët e Flotacionit të Kishnicës

(Përditësuar: 13:37) - Minatorët e Flotacionit në Kishnicë njoftuan se iu janë ekzekutuar pagat e marsit, por janë në diskutim me punëtorët nëse do të dalin nga greva.

Njëri prej punonjësve i ka thënë KOHËS se po shqyrtojnë daljen nga greva pasi “kërkesat e tjera nuk janë plotësuar”.

Ndërmarrja “Trepça” ka njoftuar se pagat kanë qenë të paekzekutuara për shkak të problemeve buxhetore dhe përmbarimore.

“Sot, kemi arritur të finalizojmë edhe këto pagesa. Pagat për minatorët e Artanës dhe për personelin e sigurimit janë kryer më herët. Mjetet financiare janë siguruar nga eksporti i realizuar më 18.04.2025 nga njësia në Stan Tërg, dhe janë shfrytëzuar për mbulimin e pagave të njësisë në Kishnicë. Në këto momente, pagat për Flotacionin janë ekzekutuar në tërësi”, thuhet në njoftimin e bërë në Facebook.

Minatorët kanë njoftuar se grevën e kanë organizuar për shkak të vonesave të pagës së marsit, nivelizimit të pagave, rigjenerimit të vendeve të punës, kushtet dhe sigurisë në punë dhe mosekzekutimit të mjeteve në Trustin pensional.


Minatorët e Kishnicës në grevë, pa paga të marsit

Minatorët e Flotacionit të Kishnicës kanë hyrë në grevë si shkak i mos ekzekutimit të pagave.

Ata përmes kësaj greve kërkojnë nivelizimin e pagave, mosvonesën e pagave, ri-gjenerimin e vendeve të punës, të përmirësohen kushtet e punës.

Valdete Osmani, njëra nga shumë punonjëset e kësaj njësie biznesore, ka thënë se shkaku i mungesës së pagesës vazhdimi i punës për punëtorët është bërë gati i pamundur.

“Është e disata herë që njësia e Kishnicës diskriminohet me mosmarrjen e pagave, ashtu siç i marrin edhe njësitë e tjera të ‘Trepçës’, e që kjo bëhet nga udhëheqja e ndërmarrjes ‘Trepça’, të cilët vazhdojnë të na diskriminojnë me mosmarrjen e pagave, sikur punëtorët e njësive të tjera. Kemi biseduar se kur do të ekzekutohen pagat dhe nuk ka asnjë përgjigje nga menaxhmenti për mosdaljen e pagave”, ka thënë ajo.

Për shkak të problemit, minatorët në disa raste kanë refuzuar të punojnë.

E në ndërmarrjen “Trepça”, e cila e menaxhon njësinë biznesore në Kishnicë, e kanë arsyetuar mosekzekutimin e pagave me bllokimin e llogarive bankare.