Punëtorët e njësisë biznesore Miniera me Flotacion në Kishnicë ka 17 ditë që është dashur t’i merrnin pagat e muajit mars, porse kjo nuk ka ndodhur. Minatorët janë ankuar se ndërmarrja “Trepça” e ka diskriminuar vetëm këtë njësi dhe se vazhdimi i punës është bërë gati i pamundur. Për këtë shkak, Këshilli grevist i ka informuar udhëheqësit e minierës së Kishnicës si dhe të vetë ndërmarrjes “Trepça” se do të hyjnë në grevë më 22 prill. Teksa menaxhmenti i “Trepçës” është arsyetuar me bllokimin e llogarive të ndërmarrjes
As të enjten punëtorët e Minierës në Kishnicë nuk i kanë marrë pagat e muajit mars, për çka kanë marrë vendim që të hyjnë grevë.
Nëpërmjet një njoftimi, Këshilli grevist i ka informuar udhëheqësit e minierës së Kishnicës si dhe të vetë ndërmarrjes “Trepça” se greva do të nisë më 22 prill në orën 7.30.
E para këtij vendimi, Valdete Osmani, njëra nga shumë punonjëset e kësaj njësie biznesore, ka thënë se shkaku i mungesës së pagesës vazhdimi i punës për punëtorët është bërë gati i pamundur.
“Është tashmë data 17, kur ka kaluar gjysma e muajit dhe ne nuk i kemi marrë pagat. Ajo që është më e rëndë për t’u përmendur, është se shumë punëtorë udhëtojnë nga qytetet e tjera për të shkuar në punë. Kushtet e punëtorëve janë vështirësuar, sepse tani është një jetë shumë e shtrenjtë”, ka theksuar ajo.
Osmani është shprehur se kjo nuk është hera e parë që punëtorët e Minierës me Flotacion në Kishnicë përballen me vonesa në ekzekutim të pagave.
“Është e disata herë që njësia e Kishnicës diskriminohet me mosmarrjen e pagave, ashtu siç i marrin edhe njësitë e tjera të ‘Trepçës’, e që kjo bëhet nga udhëheqja e ndërmarrjes ‘Trepça’, të cilët vazhdojnë të na diskriminojnë me mosmarrjen e pagave, sikur punëtorët e njësive të tjera. Kemi biseduar se kur do të ekzekutohen pagat dhe nuk ka asnjë përgjigje nga menaxhmenti për mosdaljen e pagave”, ka thënë ajo.
Për shkak të problemit, minatorët në disa raste kanë refuzuar të punojnë.
E në ndërmarrjen “Trepça”, e cila e menaxhon njësinë biznesore në Kishnicë, e kanë arsyetuar mosekzekutimin e pagave me bllokimin e llogarive bankare.
“Pagat e muajit mars 2025 për minatorët dhe punonjësit e tjerë të Minierës së Artanës janë ekzekutuar me kohë dhe madje me prioritet të lartë. Ndërsa për administratën dhe punëtorët e tjerë të Kishnicës pagat nuk janë ekzekutuar, për shkak të bllokimit të llogarisë rrjedhëse të ‘Trepça’ Sh.A. Mirëpo për javën e ardhshme kemi planifikuar një eksport të koncentratit, me ç‘rast shpresojmë që do të krijohen të hyra të mjaftueshme për zhbllokimin e llogarisë dhe ekzekutimin e menjëhershëm të pagave për punëtorët e kësaj njësie”, kanë thënë në ndërmarrjen “Trepça”.
Me vonesa të pagave vitin e shkuar janë përballur edhe minatorët e njësisë biznesore Miniera me Flotacion në Stantërg, për çka Qeveria ka ndarë 4 milionë euro me qëllim të tejkalimit të krizës.
