Arbëri

Minatorët ankohen se morën vetëm gjysmën e pagës

Minatorët

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka thënë se minatorëve po vazhdohet t’i shkelen të drejtat, duke përmendur se kanë pranuar vetëm 51 për qind të pagës.

Sindikata ka deklaruar të martën se është ofenduese, e kundërligjshme dhe e papranueshme që Qeveria ka ndarë shumën prej 4 milionë eurove për Ndërmarrjen Trepça, por minatorët s’i kanë marrë pagat.

“Shkelja e të drejtave elementare të minatorëve siç është e drejta në pagë, përkundër se para muaj më pare Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë një shumë prej 4 milion euro për ndërmarrjen Trepca Sh.A. dhe prodhimit enorm që kemi pasur në muajin shtator, është e papranueshme, fyese dhe kundërligjore”, thuhet në reagim.

Sindikata ka ftuar menaxhmentin t’i kryejë detyrat e tij dhe të merren me seriozitet të lartë shqetësimet e minatorëve.

“Sot kur të gjithë e pritëm me padurim ekzekutimin e pagave, si kundërvlerë për djersen që kemi derdhur, edhe një herë tjeter u zhgënjyem duke u kompensuar vetëm 51% e pagës. Deri kur do të vazhdoj një ofendim i tillë ndaj minatorëve dhe cili është qëllimi i vërtet i këtyre vendimeve të kundërligjshme?! Për muaj me radhë, që nga zgjedhja e menaxhmentit të ri në ndërmarrje kemi heshtur dhe toleruar, lloj-lloj vendime dhe qasje që është i kunderligjshem dhe në kundërshtim me interesat e minatorëve, me qëllimin e vetëm dhënia e hapësirës së mjaftueshme menaxhmentit të ri për të dëshmuar veten. Por secili duhet të kuptoj se mjaft është mjaft”, thuhet tutje në reagim.