Arbëri

Milo: Një marrëveshje negative për Ukrainën mund të ndikojë në Ballkanin Perëndimor

Paskal Milo

Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Paskal Milo, ka deklaruar se çfarëdo marrëveshje e shpejtë dhe negative për Ukrainën, do të kishte ndikim edhe në disa rajone tjera të botës, përfshirë edhe në Ballkanin Perëndimor.

Ai ka deklaruar në Specialen e KTV-së të hënën se nëse situata lëviz siç është projektuar aktualisht, do të ndikonte në shumë rajone dh do të inkurajonte “zgjidhjen e krizave jo më përmes dialogut, por përmes forcës së imponimit”.

“Këtu unë kam të drejtë të tërheq vëmendjen se influenca e një zgjidhjeje të mundshme, jo të përshtatshme e të dobishme në konfliktin Rusi-Ukrainë, mund të ndikojë negativisht në Ballkanin Perëndimor, mund të ndikojë negativisht në perspektiven e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të njohura, për të mos i quajtur konflikt”, ka thënë Milo.

Sipas ish-ministrit, ndërrimi i kufijve në Ukrainë do të mund të krijonte situata konflikti edhe në Kosovë, derisa shtoi se nëse Rusia fiton luftën, vendet e tjera do të shtyhen që të veprojnë me logjikën e presidentit rus, Vladimir Putin.

“Nëse marrëveshja për Ukrainën do të jetë e favorshme për Rusinë, padyshim që qarqet që mbështeten nga Rusia në Ballkanin Perëndimor, në radhë të parë Serbia, do të inkurajohen që të veprojnë me logjikën dhe filozofinë e Putinit që ka ndaj Ukrainës por edhe ndaj komunitetit ndërkombëtar. Më shqetëson fakti që duhet të jemi të vëmendshëm se si Kosova duhet të përgatitet të përballojë një situatë të vështirë në të ardhmen”, ka shtuar tutje ai.

Sipas tij, ekziston frika që Ballkani Perëndimor të pesojë nga marrëveshja e keqe në Ukrainë.

“Ekziston një opsion frike që një marrëveshje jo pozitive për Ukrainën, mund të shkaktojë një efekt negativ në zgjidhjen e krizave dhe konflikteve në rajone të tjera, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor...Duhet të pranojmë se presidenti amerikan ka një qasje jo tipike jo diplomatike në raport me traditën dhe me konfliktet. Ai kërkon t'i zgjidhë problemet në një rrugë sa më të shkurtër, të drejtpërdrejtë, pa pasur parasysh edhe raportet delikate që mund të krijohen në rajon”, ka theksuar tutje Milo.

Ish-ministri shqiptar bëri thirrje që Kosova dhe Shqipëria të përafrohen në mënyrë që t’i përballojnë së bashku sfidat e së ardhmes.

“Askush të mos ushqejë iluzione që sfidat që na presin mund t’i përballojmë vetëm ose me aleancat që s'e kanë atë ndjeshmëri apo vullnet që mund të ketë një Kosovë e Shqipëri të bashkuar për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe të fatit të së ardhshëm. Shqiptarët uroj që dy kombet dorë për dore të ecin para dhe shpresoj që kjo të ndodh pasi janë vetë shqiptarët, në Kosovë e Shqipëri që do të dinë të reagojnë, të orientohen në këtë situatë që mbetet për t'u parë nëse do të jetë në favor apo do t'u paraqesë sfida”, ka potencuar ai.