Arbëri

Miller: Pretendimet serbe për juridiksion ligjor në Kosovë shkelin detyrimet e dialogut

Matthew Miller, zedhenes i DASH-it

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, ka thënë se Serbia i shkel detyrimet e dialogut duke pretenduar t’i gjykojë krimet në Kosovë. Ai ka thënë se mbështet qëndrimin e Bashkimit Evropian që e kundërshtoi miratimin e projektligjit nga ana e Serbisë për juridiksion gjyqësor në Kosovë.

“Ne pajtohemi me BE-në që projektligji i Serbisë që pretendon juridiksion ligjor në Kosovë shkel detyrimet e dialogut. Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjen e vitit 2023, duke përfshirë Asociacionin dhe zgjidhjet për të gjithë qytetarët, përfshirë serbët në Kosovë”, thuhet në reagimin e Millerit në rrjetin social X.

Ligji që Qeveria e Serbisë ia propozoi Kuvendit serb për miratim më 28 tetor, parasheh gjykime për të gjitha krimet e parapara me Kodin Penal të këtij vendi, të cilat janë kryer pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008.