Arbëri

Milionat e “ringjalljes” shkojnë në pagat e punëtorëve të “Trepçës”

Pjesa më e madhe e 4 milionë eurove të ndara nga Qeveria pritet të shpenzohen për pagat e punëtorëve të “Trepçës”. Derisa nga opozita e kanë fajësuar Qeverinë për keqmenaxhim të ndërmarrjes publike, në Qeveri janë shprehur optimistë se ajo mund t’i përmirësojë bilancet financiare. Për katër vjet nga buxheti i shtetit për “Trepçën” janë ndarë 28 milionë euro

Punëtorëve të “Trepçës” do t’iu dalin pagat javën e ardhshme, kanë thënë për KOHËN drejtues të kësaj ndërmarrjeje publike. Qeveria, në njërën nga mbledhjet e javës së kaluar, i ndau katër milionë euro për gjigantin metalurgjik nga Pakoja për Ringjallje Ekonomike, dhe këto para do të shpenzohen kryesisht për pagat e vonuara të punëtorëve, të cilët prej javësh kanë refuzuar të kthehen në vendet e punës. 

“Shpenzimet që janë të planifikuara në Planin e Veprimit që është prezantuar në Ministrinë e Ekonomisë: Shpenzimet e pagave; Shpenzimet për energji elektrike; Shpenzime për eksploziv; Shpenzimet për reagenca; Shpenzime për vajra dhe karburante; Shpenzimet për ushqim të punëtorëve”, shkruhet në përgjigjen e “Trepçës”. 

Në përgjigjen për KOHËN kjo ndërmarrje nuk ka ofruar të dhëna mbi numrin e saktë të punëtorëve, e as sa prej tyre janë angazhuar direkt në nxjerrjen dhe përpunimin e xeheve. 

“Numri i të punësuarve në nivel ndërmarrje është 1135 (është i përafërt, kemi shumë në listë që do të dalin në pension, disa e lëshojnë vendin e punës për të shkuar jashtë vendi etj., që mund të ketë diferenca nga muaji në muaj)”, thuhet në përgjigjen e “Trepçës”. 

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, e ka akuzuar Qeverinë për menaxhim të dobët të kësaj ndërmarrjeje. Shatri tha se ekzekutivi detyrohet ta mbështesë këtë ndërmarrje shkaku i humbjeve. 
“Pas tre-katër vjetëve qeverisjeje, me menaxhim të keq që i kanë bërë kësaj ndërmarrjeje kanë dështuar, dhe tash në vend se t'i kontribuojë buxhetit të Kosovës me kontributet, taksat, tatimet, produktin që e jep, punësim e të tjera, tani duhet Qeveria të ndajë mjete të gatshme nga buxheti i Kosovës që t'i plotësojë humbjet e kësaj kompanie. Pra, kryekëput janë produkt i menaxhimit jo të mirë të kësaj ndërmarrjeje”, tha Shatri për Kosovapress. 

E në emisionin “60 Minuta” në KTV, zëvendësministri i Financave, Agron Dobruna, tha se ende shpresojnë që bilanci negativ i “Trepçës” të kthehet në pozitiv. 

“Qeveria si aksionare e kësaj ndërmarrjeje ka vendosur ta mbështesë përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike me 4 milionë euro ‘Trepçën’. Dje është marrë edhe vendimi, të gjithë e dimë që tash e një kohë i kemi pa paga punëtorët e ‘Trepçës’ dhe po besoj që pjesa më e madhe do të kalohet aty. Jemi gjithmonë për të mbështetur ‘Trepçën’. Por edhe ndërmarrja me Bordin e ri... duhet të ketë plan të veprimit, që të jenë më profitabilë, të sjellin më shumë përfitim – së pari për të siguruar ndërmarrjen e më pas për t’i mbështetur të tjerat”, tha Dobruna. 

Për më shumë se 10 vjet pas luftës, Zyra Kombëtare e Auditimit nuk kishte kryer kontroll në këtë ndërmarrje. Auditimi i 2010-s dhe ato më të vonshmet kanë treguar se kjo ndërmarrje ka operuar vazhdimisht me humbje, duke u bërë barrë e vazhdueshme e taksapaguesve. Përfaqësues të “Trepçës” kanë thënë se vetëm në katër vjetët e fundit Qeveria e ka subvencionuar ndërmarrjen me 28 milionë euro. 

Detyrimet e kësaj ndërmarrjeje gjatë viteve kanë qenë të larta: 32.5 milionë më 2021 sipas të dhënave të ZKA-së dhe 21.4 milionë sipas shifrave të Ministrisë së Ekonomisë më 2022. E auditori pati gjetur se shumë prej pasurive të kësaj ndërmarrjeje nuk janë evidentuar me rregull e as pretendimet e palëve nëpër konteste gjyqësore, që shpesh i kanë fituar punëtorët. 

ZKA-ja pati identifikuar edhe këputje të zinxhirit të raportimit të kësaj ndërmarrjeje. Njësia e biznesit “Kopaonik-Leposaviq” që është në veri të vendit e me shumicë të punëtorëve serbë shumicën e kohës nuk i ka raportuar Bordit të ndërmarrjes, pavarësisht se ka qenë e obliguar t’i raportojë atij.  Auditimi i parë i kësaj njësie prej Zyrës Kombëtare të Auditimit është bërë tek sivjet.