Arbëri

Bajraktari: Kushtetuesja nuk i pengoi reformat në drejtësi

Avokati Ardian Bajraktari

Avokati Ardian Bajraktari ka deklaruar se pritshmëritë dhe premtimet për reformat në drejtësi nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ishin joreale dhe se dështimet nuk mund t’i atribuohen Gjykatës Kushtetuese, por mungesës së analizave të thella dhe respektimit të standardeve ndërkombëtare.

Në debatin në KTV të premten, Bajraktari ka thënë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese për vettingun dhe Byronë për konfiskimin e pasurisë janë bazuar në praktika dhe standarde ndërkombëtare.

“Kam përshtypjen se pritshmëritë dhe premtimet kanë qenë joreale, sepse në të njëjtën kohë ka pasur shumë procese dhe mungesa e kapaciteteve ka sjellë nisma jomjaftueshëm të analizuara, që në disa raste kanë qenë në kundërshtim me parimet ndërkombëtare dhe standardet e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Bajraktari.

Ai theksoi se, nëse Komisioni i Venecias do të kishte dalë kundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, atëherë mund të arsyetohej pretendimi i Qeverisë se kjo gjykatë po pengon reformat në drejtësi.

Avokati Bajraktari theksoi se Gjykata Kushtetuese nuk është pengesë për reformat, por merr parasysh standardet ndërkombëtare dhe parimet bazë të drejtësisë.

“Element esencial është qëllimi legjitim i reformës dhe parimi i proporcionalitetit, që nënkupton se një reformë nuk duhet të kthehet në mjet abuziv për pushtetin apo të cenojë të drejtat dhe liritë e njeriut”, ka shtuar ai.

Në këtë kontekst, Bajraktari u shpreh se Kushtetuesja ka vepruar si mekanizëm orientues, jo vetëm për reformat në drejtësi, por edhe për ligje të tjera, siç ishte rasti i çmimeve tavan.


Zekaj: VV-ja pati iniciativa që binin në kontradiktë me njëra-tjetrën

Avokati Ylli Zekaj ka thënë se në katër vjetët në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka pasur iniciativa që kanë rënë në kontradiktë me njëra-tjetrën, sa i përket çështjes së reformave në drejtësi.

Në “Zgjedhjet në KOHË” të premten, Zekaj ka thënë se VV-ja ka pasur iniciativa që e kanë mbizotëruar njëra-tjetrën.

“Ka pasur iniciativa të bollshme, ndoshta më shumë se që është dashur. Iniciativa që kanë rënë në kontradiktë me njëra-tjetrën. U nis çështja e vettingut si procesi më i madh, dhe në të njëjtën kohë ke proklamuar byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme – pra antagonizma njëra me tjetrën”, ka thënë ai.

Sipas tij, kontradiktë ka qenë në këtë aspekt edhe që VV-ja “s’i ka besuar këtij sistemi gjyqësor prandaj nisi iniciativa për vetting” dhe në anën tjetër “ka proklamuar byro për konfiskim duke u dhënë kompetenca këtyre gjyqtarëve për të konfiskuar pasuri”.

Ai ka thënë se “është dashur të fillohet me një proces e të shtyhet deri në fund e pas nisjes së zbatimit të shihet se a ka mundësi të niset me tjetrin”.

“Por jo të lëshohen të gjitha me fillim dhe kjo tregon joseriozitetin e kësaj qeverie për t’i shtyrë me të vërtetë ato nisma që i ka pasur dhe proklamuar në programin qeverisës të vitit 2021”, ka thënë ai.


Miftaraj: VV-ja ka dështuar krejtësisht në zbatimin e Strategjisë për Sundim të Ligjit

Drejtori ekzekutiv i Institucionit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj

Drejtori ekzekutiv i Institucionit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës ka dështuar krejtësisht në zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit 2021-2026, ndërsa të gjitha institucionet ligjzbatuese kanë përmbushur vetëm 30 deri në 35 për qind të obligimeve të saj.

Në debatin në KTV të premten, Miftaraj ka thënë Strategjia për Sundimin e Ligjit përfaqëson dokument kyç për forcimin e shtetit të së drejtës, por objektivat e saj nuk janë realizuar nga ekzekutivi.

“Strategjia për Sundimin e Ligjit është Kushtetuta e qeverisjes për sundim të ligjit. Lëvizja Vetëvendosje, pra partia në pushtet, ka dështuar krejtësisht në zbatimin e objektivave, qëllimeve dhe aktiviteteve që janë të parapara në këtë strategji”, ka deklaruar Miftaraj.

Ai shtoi se përmes rishikimit të strategjisë në fillim të mandatit të kësaj qeverie ishte bërë analizë e plotë e sistemit gjyqësor, prokurorial, policor dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese, duke u hartuar 16 dokumente të politikave që përcaktonin veprimet e nevojshme për përmirësimin e sundimit të ligjit.

Miftaraj ka treguar se deri në vitin 2023 ishte funksional një plan pune i redaktuar nga Qeveria, i cili përfshinte veprime të qarta për fuqizimin e sundimit të ligjit. Megjithatë, në vitin 2024, siç thotë ai, Ministria e Drejtësisë ka dështuar të hartojë një plan pune për zbatimin e strategjisë, duke mos ndërmarrë asnjë hap konkret.

Ky dështim, sipas tij, tregon mungesën e përkushtimit institucional për forcimin e shtetit të së drejtës dhe përmirësimin e funksionimit të institucioneve të drejtësisë në vend.