Arbëri

Zekaj: Moslejimi i familjarëve në varrim, shkelje e konventave për të drejtat e njeriut

Zekaj

Ish-presidenti Hashim Thaçi nuk është lejuar nga Gjykata Speciale që të martën të marrë pjesë në varrimin e të atit. Avokati Yll Zekaj e konsideron shkelje të konventave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut moslejimin e pjesëmarrjes së familjarëve në varrime.

Zekaj ka thënë se konventa për të drejtat e njeriut duhet të jetë e zbatueshme dhe sipas tij brenda Dhomave të Specializuara duhet të ketë organ që e mbikëqyr respektimin e atyre të drejtave.

“Kemi disa raste tashmë që janë gjetur që moslejimi i pjesëmarrjes së familjarëve në varrim paraqet shkelje të konventave të të drejtave të njeriut. Konventa për të drejta të njeriut duhet të jetë e zbatueshme dhe duhet të jenë organe brenda Dhomave të Specializuara që përkujdesen për të drejtat e personave”, ka thënë ai në “Konfront”.


Krasniqi: Haxhi Thaçi duhet të nderohet shkaku i kontributit të tij, jo pse është babai i ish-presidentit

Gazetari Besnik Krasniqi ka theksuar se Haxhi Thaçi duhet të nderohet për kontributin e tij dhe jo vetëm për faktin se ishte babai i ish-presidentit Hashim Thaçi.

Sipas Krasniqit, respekti dhe vlerësimi për Haxhi Thaçin nuk duhet të lidhen vetëm me statusin e tij familjar, por me rolin e tij në edukimin dhe formësimin e fëmijëve të tij në një kohë të vështirë për Kosovën.

“Nuk do duhej që për shkak të statusit të tij familjar t’i bëhej gjithë ky respekt, në kuptimin që Haxhi Thaçi nuk është vetëm baba i një ish-presidenti apo ish-kryeministri, por duhet respektuar për shkak të kontributit që ka pasur brenda familjes për të ndikuar te fëmijët, për t’i edukuar në frymën e tillë sa t’i mobilizojë për të bërë rezistencë në situatën që ka qenë Kosova”, u shpreh Krasniqi në “Konfront” të KTV-së.

Ai shtoi se meritat e Haxhi Thaçit qëndrojnë në ndikimin e tij në edukimin dhe formësimin e karakterit të Hashim Thaçit, i cili më pas dha kontributin përmes veprimtarisë ilegale dhe angazhimit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Kur flasim për Haxhi Thaçin, jo vetëm për të por për babanë, nënën e secilit hero të luftës dhe që ka kontribut të pashembullt, nuk duhet të flasim si baba i filan personit, por si njeri që ka lënë gjurmë në të arriturat e Kosovës nëpërmjet arsimit, edukimit dhe emancipimit që ka bërë brenda shtëpisë së tij”, ka thënë Krasniqi.

Haxhi Thaçi ndërroi jetë të dielën. Javën e kaluar, ish-presidenti Hashim Thaçi u lejua nga Dhomat e Specializuara në Hagë që ta vizitonte babanë e tij në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por nuk iu dha leje për të marrë pjesë në varrimin e sotëm.


Bajraktari: Kur u themelua Specialja, fokusi ishte tek akuza

Avokati Ardian Bajraktari ka deklaruar se në momentin e krijimit të Gjykatës Speciale, fokusi kryesor ishte tek akuzat e rënda, siç është trafikimi i organeve ndërsa me kalimin e kohës procesi ka devijuar, duke u përqendruar kryesisht në çështje të pengimit të drejtësisë.

“Momentumi ka qenë i tillë kur është krijuar Gjykata Speciale, kemi pasur akuza të rënda. Fokusi kryesor ka qenë tek akuza, jo te mekanizmi i gjykatës. Ka qenë anormale me konceptu diçka të tillë kur është bërë e ditur akuza për trafikim organesh”, u shpreh Bajraktari në “Konfront”.

Sipas tij, me kalimin e kohës, procesi ka ndryshuar dhe shumica e aktakuzave tashmë kanë të bëjnë me pengim të drejtësisë, çka sipas tij e ka kompromentuar të gjithë procesin.


Miftaraj: Presioni ndërkombëtar për Asociacionin, i butë në krahasim me atë për Specialen

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë se Kosova ishte në udhëkryq para formimit të Gjykatës Speciale dhe se kishte dy mundësi, o ta bënte vetë ose ajo do bëhej përmes OKB-së.

Ai ka theksuar se krahasuar me presionin që i bëhej Kosovës atë kohë për Gjykatën Speciale, presioni që i bëhet për themelimin e Asociacionit është tepër i butë.

“Presioni ndërkombëtar në atë kohë me theks të veçantë nga administrata amerikane, partnerët evropianë në Bruksel ishte i hatashëm dhe në një mënyrë Kosova ishte mes dy rrugëve... Nëse shohim presionin që po i vjen Kosovës në 4-5 vjetët e fundit kryesisht me Marrëveshjen e Brukselit dhe planin e Ohrit, themelimin e Asociacionit, është presion jashtëzakonisht i butë në raport me presionin që e kishte Kosova në kohën kur ishte për ta themeluar Gjykatën Speciale”, ka thënë ai në “Konfront”.