Arbëri

Miftaraj: Pas vrasjeve në institucione, dorëheqjet duhet të pasojnë

Ehat Miftaraj

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka thënë se pas vrasjes së një gruaje pranë objektit të Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, duhet të pasojnë dorëheqjet.

“Edhe një grua vritet në mes të ditës në institucion shtetëror. Në një shtet normal dorëheqjet si akt moral do të pasonin sot. Jo arsyetime koti, jo sqarime, por dorëheqje”, ka shkruar ai në Facebook.

Një 21-vjeçare u vra para objektit të QPS-së në Ferizaj. Siç kanë konfirmuar autoritetet, i dyshuar është ish-partneri i saj. Të dy ishin takuar në QPS, gjatë kohës kur gruaja kishte dërguar fëmijën për ta takuar babanë.

Si pasojë e të shtënave është plagosur edhe vëllai i mitur i viktimës.  Policia ka arrestuar 36-vjeçarin e dyshuar. 

Pas rastit ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që ka thënë se “pavarësisht angazhimit të vazhdueshëm institucional, gratë ende nuk janë të sigurta”.