Arbëri

Miftaraj: E turpshme për Prokurorinë Speciale që rastin e Banjskës t'ia lë vetëm një prokurori

Ehat Miftaraj

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka deklaruar se është e turpshme që me rastin “Banjska” të merret vetëm prokurori Naim Abazi.

Ai ka thënë se ky veprim është “edhe joseriozitet i skajshëm i Blerim Isufajt që rastin më të rëndësishëm ia ka lënë një prokurori”.

“Sikur të kishim Prokurori Speciale serioze, Naim Abazi s'do të mbetej vetëm një prokuror ta hetonte këtë rast. Është joseriozitet i skajshëm i Blerim Isufajt që në rastin më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës ia ka lënë një prokurori. Një prokurori që i ka pasur 7-8 policë hetues...Nuk duhet t'i lihet rastësisë asgjë”, ka shtuar Miftaraj.


Miftaraj: Kjo aktakuzë është një “xhoker” për Qeverinë Kurti

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë të Zveçanit është “xhoker” për Qeverinë Kurti.

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Miftaraj ka thënë se Qeveria duhet të dijë ta shfrytëzojë këtë “xhoker” në raport me Serbinë. 

“Unë besoj se kjo aktakuzë për Albin Kurtin, për Qeverinë e Kosovës është një ‘xhoker’ në xhep. Sa jemi ne në gjendje ta shfrytëzojmë është çështje tjetër. Nëse ne vazhdojmë me këtë qasje në dialog, me BE-në, Gjermaninë, Britaninë e Amerikën, edhe ky ‘xhoker’ venitet dhe nuk mund ta shfrytëzosh në raport me Serbinë. Në momentin që ambasadori (Christopher) Hill del dhe thotë atë deklaratë që e tha dje, ne e pamë reagimin e presidentit (të Serbisë, Aleksandar) Vuçiq sot. Beogradi, presidenti Vuçiq i di pasojat”, ka thënë ai.

Miftaraj ka shtuar se në aktakuzë pretendohet se grupi kriminal nuk do të mund ta kryente aksionin po që se nuk do të përkrahej nga e gjithë aparatura shtetërore. 

“Në këtë aktakuzë pretendohet që ky grup kriminal prej 45 personave të akuzuar nuk kishte pasur asnjë mundësi minimale të kryejë aksion nëse nuk do ta kishte prapa të gjithë aparaturën shtetërore të Serbisë, prej presidentit Vuçiq, Qeverisë, ushtrisë, policisë”, ka theksuar ai.

 


Miftaraj: Hera e parë që jam habitur për të mirë me një aktakuzë

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, është shprehur se me aktakuzën në rastin Banjska është befasuar për të mirë.

Ai ka deklaruar të enjten në Konfront të KTV-së se e vlerëson lartë prokurorin Naim Abazi me punën në këtë rast.

“Hera e parë që jam habitur për të mirë me nivelin e profesionalizmit të aktakuzës”, ka thënë ai.


Krasniqi: Problemi i Prokurorisë është ta faktojë pretendimin, ajo ka dhënë veç opinion

Gazetari Besnik Krasniqi ka deklaruar se Prokuroria Speciale do ta ketë problem ta bindë Gjykatën se qëllimi i sulmit në Banjskë të Zveçanit ka qenë aneksimi i asaj pjese të Kosovës. 

Sipas Krasniqit, në bazë të asaj që është thënë në aktakuzë, Prokuroria ka dheënë opinion jo fakte në lidhje me këtë cështje. 

Ai ka shtuar se mungojnë deklaratat e dëshmitarëve apo të të pandehurve për ta mbështetur këtë konstatim. 

“Problemi është që Prokuroria ka dhënë opinion. Me asnjë deklaratë të dëshmitarëve, asnjë deklaratë të të pandehurve, në asnjë fakt që është prezantuar aty nuk është theksuar kjo. Qysh ka ardhur Prokuroria te ky konstatim? Ja se si e ka mbështetur të gjithë konstatimin... problemi është se nuk ka mbërritur Prokuroria ta faktojë këtë gjë, si ka ardhur Prokuroria te ky përfundim; Thuhet se kur të analizohet përgatitja paraprake e sulmit, numri i madh i pjesëmarrësve në grup, numri i madh i armatimit dhe mbështetjes logjistike, hartat topografike, një deklaratë e Radoiçiqit, citohet të ketë folur në emër të krijimit të kushteve për realizimin e ëndrrës së lirisë së popullit të tij serb në veri të Kosovës, atëherë vijmë në përfundim se qëllimi ka qenë që të aneksohet, apo të shkëputet ajo pjesë nga Kosova. Askund me asnjë fakt tjetër këta prokurorë që 1 vjet nuk kanë arritur të gjejnë elemente për ta shpjeguar, këta do të kenë problem ta bindin gjyqtarin për ta mbështetur këtë akuzë”, ka thënë Krasniqi.