Arbëri

MF: Vitia s’e siguroi buxhetin e nevojshëm, pagat u ekzekutuan vetëm për një pjesë të punonjësve

Pagat

Ministria e Financave ka thënë se Komuna e Vitisë nuk ka arritur ta sigurojë buxhetin e nevojshëm dhe se janë ekzekutuar pagat vetëm për një pjesë të punonjësve të komunës. 
MF-ja ka thënë se disa komuna kanë filluar të kenë mungesë buxheti në kategorinë e pagave qysh tash. 

“Komuna e Vitisë nuk siguron buxhetin e nevojshëm, pagat ekzekutohen vetëm për një pjesë të punonjësve të komunës. Përkundër që buxheti për paga ndahet asisoj që ta mbulojë shpenzimin për tërë vitin, si pasojë e rasteve përmbarimore, disa komuna kanë filluar të kenë mungesë buxheti në kategorinë e pagave qysh tani. Thesari i Kosovës ka njoftuar me kohë komunat të cilat janë ballafaquar me këtë problem që të bëjnë korrigjimet dhe përshtatjet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutimin e pagave të muajit shtator, dhe të gjitha komunat e kanë bërë përpos njërës. Komuna e vetme që nuk e ka bërë këtë rregullim është Vitia, e cila ka lënë programet e arsimit fillor dhe të mesëm pa buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të pagave të shtatorit”, ka njoftuar MF-ja.

Ministria e Financave ka thënë se me qëllim që të mundësohet ekzekutimi i pagave për të gjithë punonjësit e komunës, Thesari i ka dërguar në vazhdimësi njoftime Komunës së Vitisë, “përfshirë edhe ditën e djeshme, të cilëve u është dhënë mundësia gjatë gjithë ditës duke i pritur që t’i bëjnë rregullimet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të plotë të pagave”.

“Megjithatë, zyrtarët e Komunës së Vitisë nuk kanë reflektuar, gjë që nënkupton se kur është bërë ekzekutimi i pagave sot, sistemi me automatizëm i ka refuzuar ekzekutimet për programet që nuk kanë buxhet të mjaftueshëm.  Pra, për zyrën e kryetarit, administratën dhe programet tjera sistemi ka bërë ekzekutimin e pagesave, por jo edhe për programet e arsimit fillor e të mesëm, sepse komuna nuk është siguruar që në këto dy programe ka buxhet të mjaftueshëm.  Duke qenë të vetëdijshëm për situatën e të punësuarve dhe nevojën për të pranuar pagën e tyre, MFPT është e gatshme që kurdo që Komuna e Vitisë bën përshtatjet e nevojshme dhe siguron buxhetin e mjaftueshëm, të bëjmë një ri-ekzekutim të pagave vetëm për këto dy programe”, thuhet nga MF-ja.