Arbëri

Mësimi në acar

Me gjithë rënien e temperaturave, shkollat në Komunën e Podujevës ende e kanë bërë furnizimin me dru për djegie. Për pasojë, nxënësit e shkollës fillore “Shefki Kuleta” në Tërnavë ankohen se e kanë të pamundur zhvillimin e procesit mësimor nëpër klasa të ftohta. E për zgjidhjen e problemit, në Komunë paralajmëruan se do të lidhin kontratë të negociuar me një operator ekonomik që do ta bëjë furnizimin me dru

Nxënës të shkollës fillore “Shefki Kuleta” në Tërnavë të Podujevës ankohen se që prej ditësh detyrohen që procesin mësimor ta zhvillojnë nëpër klasa të ftohta, shkaku i mungesës së furnizimit me dru për ngrohje.

Ata thonë se në këto kushte e kanë të pamundur të përqendrohen në mësime. E situata, sipas tyre, bëhet edhe më e rëndë kur jashtë temperaturat bien nën zero gradë celsius.

“Ndonjëherë nuk kemi dru në shkollë edhe nuk i lëshojnë nxemjet. Ndonjëherë është ftoftë edhe e kemi problem me mësu, sepse e kemi ftoftë”, thotë një nga nxënësit.

“Prej që është ftoftë koha, nuk janë duke i leshu nxemjet veç ndonjëherë. Tani po bëhet klasa shumë ftoftë”, ankohet një tjetër.

Xhemajl Kuleta, drejtor i shkollës, konfirmoi se furnizimi me lëndë djegëse për vitet 2024-2025 ende nuk është bërë, por mohoi që objekti ka mbetur pa ngrohje.

“Në këtë vit shkollor akoma nuk jemi furnizuar me lëndë për djegie. Për këtë vit shkollor është fjala, viti 2024/2025. Ndërsa nga vitet e kaluara, shkolla jonë ka pasur tepricë. Çdo ditë ngrohja e shkollës është ndezur edhe po them asnjë ditë, asnjë ditë këtë e them me përgjegjësi të plotë që shkolla jonë nuk ka qenë pa ngrohje”, ka thënë Kuleta.

Mungesën e furnizimit me dru e konfirmuan edhe në Komunën e Podujevës.

E për të bërë zgjidhje, zëdhënësi Fatri Zhitia tha se do të lidhet kontratë e negociuar me një tjetër operator ekonomik, pasi ai i marrëveshjes së mëhershme është tërhequr.

“Ne e kemi për obligim të bëjmë një zgjidhje të shpejtë dhe këto ditë do të lidhet një kontratë e negociuar me një operator, i cili do ta bëjë furnizimin me lëndë për djegie për shkak se procedurat, të cilat kanë nisur shumë më herët, nuk kemi mundur që ta realizojmë kontratën, ashtu siç e parasheh ligji, dhe meqenëse është situata emergjente ne po lidhim një kontratë të negociuar”, ka thënë Zhitia.

Kritikë për gjendjen e krijuar shprehu nënkryetari i Këshillit të Prindërve, Visar Islami, tek tha se problemi është pasojë e mosplanifikimit me kohë nga drejtoritë e arsimit.

“Mos të presin ditët e ftohta që fundviti të na zërë prapë me mungesë të lëndëve për ngrohje. Shumica e komunave tani fillojnë me procedurat në fundvit dhe drutë edhe janë të njoma, edhe temperaturat bien shumë”, ka thënë Islami.

Mungesa e lëndëve për ngrohje është evidentuar edhe në shkollat e Fushë-Kosovës, Ferizajt, Shtimes dhe Vushtrrisë.