Mësimdhënësit e nivelit parauniversitar kanë mbetur pa i marrë pagat e shtatorit, pasi Komuna e Vitisë ka ngelur pa buxhet. Kryetari Sokol Haliti ka thënë se komuna është zhytur në këtë situatë si pasojë e vendimeve të gjykatës nga mospërmbushja e Kontratës Kolektive të mësimdhënësve. Ai ka theksuar se këtë ngërç duhet ta zgjidhë niveli qendror. Por në Ministrinë e Financave kanë thënë se Komuna duhet që vetë ta sigurojë buxhetin për paga
Mësimdhënësi Uran Azemi dhe shumë kolegë të tij në Komunën e Vitisë nuk i kanë marrë pagat për punën që e kanë bërë gjatë muajit shtator.
Azemi, mësimdhënës i gjuhës angleze në gjimnazin “Kuvendi i Lezhës”, ka thënë se mosekzekutimi i pagës i ka shkaktuar vështirësi në kryerjen e obligimeve.
“Shpreh keqardhje sidomos për një pjesë të konsiderueshme, goxha të madhe të kolegëve, jo vetëm në shkollën tonë, por edhe në të gjitha shkollat e Vitisë, sepse kanë obligime të tjera familjare dhe me të vërtetë është për keqardhje që nuk është bërë ky ekzekutim. Ne jemi anëtarë të SBASHK-ut, kemi komunikuar me ta, kemi kërkuar mendimin e tyre lidhur me këtë çështje”, ka thënë Azemi.
E Hekrem Masami, zëvendësdrejtor i gjimnazit “Kuvendi i Lezhës”, ka thënë se ka pasur paralajmërime nga mësimdhënësit se ata do të ndërmarrin veprime që nuk shkojnë në të mirën e shkollës dhe të nxënësve.
“Sot, në ndërrimin e parë, mësimi është zhvilluar normalisht. Të gjithë mësimdhënësit kanë qenë të pranishëm, ka pasur pakënaqësi nga ana e mësimdhënësve për mosekzekutimin e pagave. Disa prej tyre kanë paralajmëruar që nëse Qeveria sot pasdite nuk reflekton, mund të pasojnë edhe grevat”, ka thënë Masami.
Mësimdhënësit e nivelit parauniversitar kanë mbetur pa i marrë pagat e shtatorit, pasi Komuna e Vitisë ka ngelur pa buxhet.
Kryetari, Sokol Haliti, ka thënë se komuna është zhytur në këtë situatë si pasojë e vendimeve të gjykatës nga mospërmbushja e Kontratës Kolektive të mësimdhënësve. Ai ka theksuar se këtë ngërç duhet që ta zgjidhë niveli qendror.
“Kanë thirrur nga thesari dhe ne nuk kemi mundësi në atë formë të realizojmë transferimin e mjeteve pa vendime të Kuvendit. Kuvendi nuk do të mblidhet dhe unë jam kategorik që Ministria duhet të bëjë rimbursimin dhe kërkesat e tona për rimbursim i kanë në tavolinë”, ka thënë kryetari Haliti.
Por, në Ministrinë e Financave kanë thënë se Komuna duhet që vetë ta sigurojë buxhetin për paga.
“Me qëllim që të mundësohet ekzekutimi i pagave për të gjithë punonjësit e komunës, Thesari i ka dërguar në vazhdimësi njoftime Komunës së Vitisë, përfshirë edhe ditën e djeshme, të cilëve u është dhënë mundësia gjatë gjithë ditës duke i pritur që t’i bëjnë rregullimet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të plotë të pagave. Megjithatë, zyrtarët e Komunës së Vitisë nuk kanë reflektuar, gjë që nënkupton se kur është bërë ekzekutimi i pagave sot, sistemi me automatizëm i ka refuzuar ekzekutimet për programet që nuk kanë buxhet të mjaftueshëm. Duke qenë të vetëdijshëm për situatën e të punësuarve dhe nevojën për të pranuar pagën e tyre, MFPT-ja është e gatshme që kurdo që Komuna e Vitisë bën përshtatjet e nevojshme dhe siguron buxhetin e mjaftueshëm, të bëjmë një riekzekutim të pagave vetëm për këto dy programe”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Financave.
Vonesa në paga pati edhe te shërbyesit civilë në gjithë vendin. Ata i kanë marrë pagat me një ditë vonesë.