Përveç vlerësimeve nga Inspektorati i Arsimit, menaxhmenti dhe stafi i shkollës, mësimdhënësit do të vlerësohen edhe nga nxënësit. Rezultati i vlerësimit do të jetë i vlefshëm për licencën e karrierës. Kjo u mirëprit nga nxënësit
Shkathtësitë pedagogjike sjelljet, e punonjësve të arsimit gjatë orës mësimore, do t’i vlerësojnë nxënësit duke iu përgjigjur një pyetësorit kur mësimdhënësi i tyre i nënshtrohet vlerësimit të brendshëm të performancës.
Vlerësimet e nxënësve do të ndikojnë në rezultatin e mësimdhënësit për të ripërtërirë licencën e karrierës.
Janë 10 pyetje, të cilave nxënësit do t’u japin përgjigje.
“Çfarë ju pëlqen më së shumti te mësimdhënësi juaj gjatë procesit mësimor?; A ekziston ndonjë gjë që ju bën të mos ndiheni rehat gjatë orës mësimore që mbani me të?; A është e duhur qasja në prezantim të temave mësimore?”, janë disa nga pyetjet në pyetësor.
E kjo është mirëpritur nga Elton Thaqi, nxënësi në gjimnazin “Ahmet Gashi” në Prishtinë.
“Po besoj që prej perspektives sonë është një mënyrë pak më e mirë me pa se sa një profesor është i aftë ose me ditë kapacitetin e një profesori për lëndën të cilën e jep”, ka thënë ai. “Po gjithmonë këto ndryshime janë të mira për shkak se tash vlerësimi do të bëhet në një mënyrë, mos të them më serioze, por më institucionale përmes Ministrisë dhe do të kemi vlerësime më profesionale”.
Në Institutin Pedagogjik të Kosovës, që është edhe përpilues i udhëzuesit për zhvillimin e këtij procesi që u publikua këtë javë, theksuan nevojën e sensibilizimit të nxënësve për rëndësinë e vlerësimit të mësimdhënësve.
Selim Mehmeti, hulumtues në Institut, ka thënë se pyetjet duhet t’u sqarohen nxënësve varësisht nga niveli që ata vijojnë mësimet.
“Informacioni për nxënës duhet të jepet në gjuhën të cilët nxënësit e kuptojnë në mënyrën më të thjesht”, ka thënë Mehmeti. “Nëse flasim për marrjen e mendimeve nga nxënësit e nivelit fillor për mësimdhënësin e klasës, atëherë personi që caktohet në shkollë për t’i menaxhuar diskutimet me nxënës duhet të bëjë pyetje të tilla të natyrës së përgjithshme ku tërthorazi nxjerr mendimet, pikëpamjet e nxënësve për mësimdhënësit”.
Vlerësimi i brendshëm i perfomancës së mësimdhënësve për të licencën, bëhet edhe nga menaxhmenti e stafi i shkollës. Ky proces bazohet në udhëzimet administrative të publikuara vitin e kaluar, ai për “Sistemin e licencimit dhe karrierën në mësimdhënie” si dhe për “Vlerësimin e performancës së mësimdhënësve”.
Drejtori i gjimnazit “Ahmet Gashi”, Haxhi Metaj, ka thënë se procesi nuk mund të fillojë në shkollën e tij deri në shtator.
“Sigurisht që ka vështirësi se edhe mësimdhënësit mund të konsiderojnë se ‘je duke ma bërë me qëllim’. Është mirë që përveç neve si drejtori e shkollës, të bëjnë vlerësime edhe nxënësit dhe Inspektorati i Arsimit”, ka thënë Metaj. “Ne prej shtatorit duhet të fillojmë sepse tash është veç përfundimi i vitit shkollor. Prej shatorit do t’i përgatisim edhe nxënësit për pyetësor”.
Vlerësimi i nxënësve do të ndikojë dhjetë për qind në pikët e fituara për të vazhduar licencën. Vlerësimi nga drejtori është 40 për qind, vetëvlerësimi nga mësimdhënësi 25 për qind dhe vlerësimi nga kolegët 25 për qind.
Vlerësimi nga nxënësit bëhet duke përzgjedhur një ose dy paralele me të cilat punën mësimdhënësi. Në vlerësim përfshihen të gjithë nxënësit e paraleles. Formulari administrohet dhe analizohet nga një anëtar i ekipit i caktuar nga drejtori i shkollës për realizim të komponentëve të vlerësimit të brendshëm të performancës.
Në klasën parafillore dhe klasat 1 deri 5 formulari plotësohet në formën e bashkëbisedimit me nxënësit e klasës duke mbajtur shënim për përgjigjet autentike të nxënësve të klasës së mësimdhënësit në proces.
Në klasat 6 deri 12 formulari administrohet nga një anëtar i ekipit të shkollës dhe plotësohet në mënyrë anonime nga të gjithë nxënësit e klasës.
Pas vlerësimit të brendshëm, ata vlerësohen edhe nga Inspektorati i Arsimit.
E, një numër i madh i mësimdhënësve veprojnë me licenca të skaduar pasi procesi i ripërtëritjes së tyre është zhvilluar me vështirësi në mungesë të inspektorëve dhe pastaj u ndal për shkak të pandemisë.
Sipas standardeve dhe kompetencave të përcaktuara, në këtë fazë mësimdhënësi pajiset me licencën e karrierës, e cila lëshohet për shtatë vjet. Licenca e mësimdhënësit të karrierës duhet të rinovohet çdo shtatë vjet, me kusht që mësimdhënësi të ketë kryer 100 orë trajnim gjatë gjithë kohëzgjatjes së licencës dhe të ketë demonstruar kërkesat minimale të performancës për rinovimin e licencës së karrierës.
Në fazën e licencës së karrierës, aftësitë e kërkuara përqendrohen në zotërimin e lëndës, zgjerimin e repertorit të aftësive pedagogjike, metodologjitë dhe teknikat e mësimdhënies, vlerësimin e nxënësve dhe përdorimin e rezultateve të vlerësimit për përshtatjen e mësimdhënies me kërkesat dhe kapacitetet e nxënësit.
Pas kësaj, mësimdhënësit mund të aplikojnë për licencë të avancuar, ku do t’i nënshtrohen një provimi kualifikues, për të cilën do të përfitojnë pagë më të lartë.