Në sirtarët e Kuvendit të Kosovës pret miratimin Ligji për Ndalimin e Përdorimit të Pijeve Energjike për Personat nën 18 vjeç. Ekzistimin e këtij problemi e konfirmojnë edhe në shkolla, e profesionistët shëndetësorë theksojnë rreziqet për shëndetin e fëmijëve
Konsumimi i pijeve energjike nga fëmijët është shndërruar në fenomen shqetësues sipas mësimdhënësve e mjekëve.
Në mungesë të një legjislacioni që mbron fëmijët nga këto pije, në shkollën fillore “Mihail Grameno” në Fushë-Kosovë, kanë miratuar një rregullore të brendshme për ndalimin e konsumimit të këtyre pijeve në ambientet shkollore.
Drejtori Sadri Emini ka thënë se pas ngritjes së shqetësimeve, rregullore e ngjashme është nxjerrë edhe nga Drejtoria Komunale e Arsimit në këtë komunë.
Emini ka theksuar se për këtë çështje, fillimisht nuk e kanë gjetur mirëkuptimin e prindërve.
“Duke e parë se nxënësit kanë filluar, disa jo në numër të konsiderueshëm të madh, përdorimin e pijeve energjike ne si shkollë i kemi njoftuar prindërit që përveç ujit nuk lejohen pije të tjera. Njoftimin e kemi dërguar te prindërit, ka pasur edhe hezitime të prindërve ku kanë thënë se ne vetë e paguajmë pse ju ta ndaloni, mirëpo rregullorja është rregullore”, ka thënë ai.
E pediatrja Rita Demiri ka treguar se nga përvoja e saj me pacientë, pijet energjike kanë efekte negative në organizëm, sidomos te fëmijët, për shkak të përmbajtjes së lartë të kafeinës.
Ajo ka shtuar se problematike është edhe përmbajtja e lartë e sheqerit.
“Rreziku që vjen nga këto pije, kryesisht lidhet me përmbajtjen e kafeinës, do të thotë pre-dozimi me kafeinë, i cili çon deri te çrregullimi i ritmit të zemrës, shkakton një tahikardi apo zemra fillon të rrahë shumë shpejt, e në raste të rralla ndodh edhe ndërprerja e punës së zemrës... Si simptoma të tjera, kjo shkakton edhe ngritje të tensionit të gjakut, mandej të vjella, mundim, dehidratim, shqetësime, konvulsione, në disa raste edhe vdekje”, ka thënë Demiri.
Lidhur me këtë problem, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka iniciuar një nismë legjislative ku parashihet ndalimi i shitjes së këtyre pijeve për personat nën 18 vjeç dhe gjobitja nga 1 mijë deri në 20 mijë euro për shkelësit e këtij ligji.
“Duke pasur parasysh edhe vetëdijen që akoma shumë prindër nuk dinë për pasojat negative që mund të ndikojnë kjo pije në shëndetin e fëmijëve. Ne kemi marrë këtë nismë që të draftojmë ligjin e ri për t’i rregulluar pijet energjike sepse këto pije ende nuk janë të rregulluara me ligj dhe ne e kemi parë të domosdoshme që duhet të rregullohen, janë disa shtete brenda BE-së që e kanë të rregulluar përdorimin e këtyre pijeve”, ka deklaruar ajo.
Projektligji i draftuar po pret miratimin në Kuvend, e deputetja Pacolli ka shprehur bindjen që pushteti i ka votat e mjaftueshme për aprovim.
Në të parashihet që pijet energjike të vendosen në raftet e pijeve alkoolike, në ambalazhe të figurojë shenja +18 dhe disa kufizime në reklamim.