Arbëri

Merren masa ndaj bizneseve që nuk respektuan kufizimin e orarit të punës

Inspektorati i Punës

Ministria e Shëndetësisë të shtunën ka njoftuar se Inspektorati i Punës ka marrë masa ndaj 28 shkelësve të vendimit për kufizim të orarit të punës për shkak të temperaturave të larta.

“Vendimi po zbatohet. Ministria e Shëndetësisë njofton se janë marrë masa ndaj së paku 28 shkelësve të vendimit për kufizim të orarit të punës për shkak të temperaturave të larta. Këto masa janë ndërmarrë në bashkëpunim me Inspektoratin e Punës dhe organet tjera relevante, me qëllim që të ruhet shëndeti i qytetarëve”, ka shkruar MSH-ja në Facebook.

Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve që për çdo shkelje të lajmërojnë numrat e Inspektoratit të Punës.

Në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Ministria e Shëndetësisë të premten [dje] mori vendim që deri më 20 korrik gratë shtatzëna të lirohen nga puna. Nëse kjo është e pamundshme, sipas MSH-së, gratë shtatzëna duhet të punojnë nga shtëpitë.  Me orar të shkurtuar duhet të punojnë personat me sëmundje kronike. Orar i shkurtuar llogaritet katër orë në ditë. Deri më 20 korrik është ndaluar puna edhe në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapura gjatë orarit 11:00-17:00.