Arbëri

Merovci: Ajo që ndodhi me votat e LDK-së në diasporë ka emër e mbiemër

Merovci

Adnan Merovci, ish-kryeshef i KQZ-së, ka thënë se nëse autoritetet duan t’i hetojnë votat me diasporë është shumë e lehtë t’i hetojnë.

“Aq shumë kemi trumbetuar dhe kemi folur për padrejtësitë që i bëhen mërgatës për mundësinë e votimit, saqë për herë të parë kur kjo u bë bash qajo LDK, që më së shumti horizontalen në mërgatë e ka të shtrirë, bash qajo ndihet fajtor. Kjo ‘e organizuar’ që e ka quajtur ky (i referohet mesazheve të zyrtarëve të LDK-së për skemë kriminale), kjo është bë prej eksponentëve dhe militantëve të LDK-së, nuk është bë prej të huajve. Kjo ka emër e mbiemër”, ka thënë ai në “Konfront”.

Merovci është shprehur se për dyshimet që anëtarët e LDK-së kanë, si ajo me votat e diasporës, do të duhej të flitej në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, jo individualisht.

“Duke e njohur mënyrën se si punon LDK-ja, pak a shumë njëfarë tradite që është e komunikimit, këto janë tema për këshill të përgjithshëm, se këshilli është një kryesi e zgjeruar dhe trup që kryesia me një mënyrë i përgjigjet. Megjithatë, kjo nuk është temë që duhet shumë të diskutohet sepse fillimisht duhet të vërtetohet dhe trajtohet”.


Baraliu: Gabim i Abdixhikut, s'mund t'i quajë zëra të shterur ata që ankohen

Mazllum Baraliu, ish-kryeshef i KQZ-së, ka thënë se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk mund t’i quajë zëra të shterur ata që ankohen brenda partisë.

Ai ka folur mbi përgjigjen e Abdixhikut ndaj disa mesazheve që rrodhën në publik të disa prej zyrtarëve të lartë të LDK-së për çështjen e votave të diasporës.  

“Përgjigjja e kryetarit është shumë këmbëngulëse, thotë ‘LDK-ja është unike, e përtërirë, kurrë më bashkë se sot, zërat e shterur’. Pra të gjitha përpjekjet të njerëzve që kanë të drejtë legjitime që në një subjekt politik që do duhej të ishin të orientuar për të dhënë kontribut dhe për të punuar bazuar në ide, nuk mund të thuhet se janë zëra të shterur këta. Ndoshta është shkallë e mllefit e shprehur, derisa këta të tjerët e kanë bërë publike...”, u shpreh ai.


Merovci: Përgjigjja e Abdixhikut për shqetësimet e anëtarëve të LDK-së, brengosëse

Ish-kryeshefi i KQZ-së, Adnan Merovci, e ka quajtur brengosës reagimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndaj publikimeve ku u nxorën disa mesazhe mes anëtarëve të partisë mbi votat e diasporës për zgjedhjet parlamentare.

Merovci ka thënë se përgjigjja e Abdixhikut nënkupton se komunikimi mes disa anëtarëve të LDK-së ka ndodhur realisht, dhe se kjo është shqetësuese për vetë LDK-në.

“Fakti që ka ndodhur një komunikim dhe përgjigjja – se po shihen gjërat, se nuk po mohohen dhe kur nuk mohohen ato në jetën publike ato pranohen – vetë fakti i mënyrës qysh është përgjigjur lë vend për brengosje, sidomos në entitetin e LDK-së. Prej dy eksponentëve të lartë i sugjerohet atij që i ka ngritë këto cështje që këto duhet t’i cosh në prokurori. Kë me cu dhe për cka? Prej shtëpisë tënde po ndodhin ato. Në prokurori cohën në kolektiv ato, kjo është brengosëse”, ka thënë ai në “Konfront”.

Të hënën, portali “Reporteri” publikoi mesazhe nga një grup në “Viber” ku përfshiheshin zyrtarë të lartë të LDK-së.