Arbëri

Menaxhmenti i quan akte sabotimi me elemente terroriste sulmet ndaj trenave

Një tren në segmentin hekurudhor Prishtinë- Pejë është sulmuar me gurë nga disa të rinj. E sipas ndërmarrjes publike “Trainkos” ky sulm ka për qëllim sabotimin, por edhe të shkaktojë pengesa për përdoruesit e transportit hekurudhor. Sipas menaxhmentit ky është sulmi i tretë brenda dy muajve. Ata ngrehin dyshime se sulmet mund të jenë të nxitura nga persona të larguar nga ndërmarrja

Me gurë është sulmuar një tren në segmentin hekurudhor Prishtinë- Pejë të shtunën

Përmes një njoftimi të publikuar të shtunën, ndërmarrja publike “Trainkos”, këtë sulm nga disa të rinj e ka quajtur të rrezikshëm. 

Sipas njoftimit, këto veprime synojnë të shkaktojnë frikë, dëme dhe pengesa për përdoruesit e transportit hekurudhor.

“Ky akt i dhunshëm është një dëshmi e qartë se ne, si ndërmarrje dhe si qytetarë që përdorim këtë transport, jemi në rrezik. Pamja e këtyre vagonëve lë përshtypjen se gjenden në vatra të luftës, ndërkohë që këta vagonë kanë ardhur në vitin 2017 të rifabrikuar me një kosto prej 1.2 milion eurosh, mjete këto të taksave të punonjësve të ndërgjegjshëm që e duan shtetin. Dëmtohen nga persona të pandërgjegjshëm, duke shkatërruar pasurinë publike dhe shtetërore”, thuhet në reagimin e “Trainkos”.

Një incident në këtë segment është raportuar edhe para dy javësh. Në trasenë hekurudhore është raportuar për hedhje të qëllimshme të gurëve, ku është thënë se është rrezikuar dalja e trenit nga shinat. Këto raste, menaxhmenti i ka kualifikuar akte sabotimi me elemente terroriste.

“Defektet në lokomotivat tona, si ajo e datës 26.10.2024 te treni 761 dhe datës 14.10.2024 në linjën Prishtinë-Pejë, në kilometrin 37+500, si dhe vendosja e barrikadave me gurë në hekurudhë, i konsiderojmë akte sabotimi me elemente terroriste. Këto veprime synojnë të shkaktojnë frikë, dëme dhe pengesa të rënda për përdoruesit e transportit hekurudhor. Ne jemi të vendosur të ruajmë integritetin tonë dhe do të vazhdojmë me reforma në brendësi të ndërmarrjes”, thuhet në reagim.

Drejtori i transportit të mallrave në Trainkos, Sabit Berisha, ka thënë se ky është sulmi i tretë brenda dy muajve. Berisha ka kërkuar nga organet e rendit të hetojnë dhe të identifikojnë autorët e këtyre rasteve.

Ai ka thënë se sulmet mund të jenë të nxitura nga persona që janë larguar nga ndërmarrja.

“A mund të themi që është faktori njeri, është faktori njeri. A mund ta specifikojmë dikë apo të kemi njëfarë lloj orientimi, natyrisht se ka njerëz të cilët faktikisht kanë qenë të punësuar në Trainkos dhe tani për tani janë duke u larguar apo kanë dhënë dorëheqje, mundet me qenë edhe kjo. Prokuroria mbetet ta hetojë rastin. Unë nuk duhet të mendojë aty, por në rast se vjen deri te ajo është për keqardhje”, ka thënë ai.

Trainkos vazhdon të mbetët njëra nga ndërmarrjet publike që operon me humbje, pasi me bileta të udhëtarëve, treni nuk arrin ta mbulojë as koston e qarkullimit.

Sipas një infografike të publikuar nga “CorrWatch”, konsorcium i organizatave të shoqërisë civile (GLPS, GAP dhe INDEP), Trainkosi në vitin 2022 kishte rreth 850 mijë euro humbje e më 2023 humbjet ishin 272 mijë euro.

Aktualisht me tren udhëtohet vetëm nga Prishtina deri në Pejë, ndërsa treni ndalet edhe nëpër fshatra të disa komunave. Bileta Prishtinë - Pejë kushton 3 euro.