Arbëri

Memoriali “Bllaca ’99” pa përkujdesje shtetërore

Drejtues të Komunës së Hanit të Elezit kanë kritikuar institucionet qendrore për mungesë përkujdesjeje për qendrën memoriale “Bllaca ’99”, që ndodhet në zonën kufitare me Maqedoninë e Veriut. Zyrtarët kërkuan investime të reja

Prej vitesh Komuna e Hanit të Elezit ka kërkuar nga niveli qendror investime të reja për qendrën memoriale “Bllaca ’99”, që ndodhet në fshatin Bllacë në zonën kufitare me Maqedoninë e Veriut. Nëpër këtë fshat, gjatë vitit 1999 u dëbuan prej Kosovës rreth 450 mijë shqiptarë nga forcat serbe. 

Në këtë qendër, sipas drejtuesve të Komunës së Hanit të Elezit, ka nevojë për rregullimin e shtratit të lumit, rregullimin e kamerave të sigurisë që kanë dalë prej funksionit prej kohësh, dhe për punësimin e rojave fizike, me arsyetimin se shpeshherë janë demoluar treni dhe asetet e tjera publike në qendër.

“Kemi arritur këtu ku jemi duke i dhënë një rëndësi shumë të veçantë kësaj pike dhe kësaj vlere kombëtare dhe aseti kombëtar, andaj kisha dashur që edhe niveli qendror të jetë më i kujdesshëm dhe më i orientuar kah investimet në këtë pjesë”, ka thënë Mehmet Ballazhi, kryetar i Komunës së Hanit të Elezit. “Këtu e kemi edhe lumin Lepenc që është afër, që krijon një rekreacion shtesë të kësaj pike, ose mbikalimin, që kemi bërë disa kërkesa duke e ftuar edhe zëvendësministrin e Infrastrukturës për t’ia treguar këto kërkesa, mirëpo deri më tash nuk ka pasur diçka konkrete për të na mbështetur”.

Ballazhi ka thënë se mungesa e investimeve në qendër mund të zbehë edhe historinë e luftës dhe përjetimet e qindra e mijëra qytetarëve që kanë qëndruar me net të tëra në qiellin e hapur në këtë luginë, për ta kaluar kufirin. 

“Ndonjë sigurim fizik nuk ka këtu. Për këtë kishte me qenë shumë e rëndësishme për t’i ruajtur këto, sepse siç e thamë ka pasur demolime të herëpashershme të trenit apo të aseteve të kësaj qendre këtu”, ka thënë ai.

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skënder Hasani, ka thënë se ky vend ruan kujtimet për vuajtjet që shqiptarëve ua shkaktuan forcat serbe.

“Instituti ynë për çdo vit u ka bërë ofertë zyrtare institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe kryeministrisë e presidencës, që ky vend i quajtur ‘Bllacë’ të ketë një trajtim më substancial, duke u nisur nga fakti se pikërisht këtu u ngjiz shtetndërtimi i Kosovës, si rrjedhojë e vuajtjeve të njerëzve pas të gjitha atyre ballafaqimeve”, ka thënë Hasani.

Në një përgjigje me shkrim të Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale theksohet se në projektin “Bllaca ’99” janë investuar 130 mijë euro gjatë viteve 2023 dhe 2024, por në të ardhmen do të ketë edhe investime të tjera. 

“Duke i vlerësuar lart rëndësinë dhe ndjeshmërinë e projektit ‘Bllaca ’99’ ka investuar gjatë viteve 2023/2024 rreth 130,000.00 € në ndërtimin e këtij kompleksi. Po ashtu ju njoftojmë se për shkak të rëndësisë që ka ky kompleks, Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale e ka përfshirë në shërbim të mirëmbajtjes mujore që nga viti 2023. Lidhur me çështjen e ngritur për funksionalizim të kamerave ju njoftojmë se në koordinim me Komunën e Hanit të Elezit do të shqyrtojmë mundësinë e funksionalizimit dhe menaxhimit të tyre”, thuhet në përgjigje.

Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale ka njoftuar se investime të tilla do të ketë edhe në kategoritë e tjera të vlerave të luftës. Por, vazhdimisht ka pasur raportime për mungesë mirëmbajtjeje të komplekseve të ngritura.