Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, do të qëndrojë për vizitë të mërkurën në Shqipëri.
Gjatë vizitës së saj të shkurtër, Meloni pritet t’i vizitojë qendrat e migrantëve në Shëngjin dhe Gjadër, që drejtohen nga Italia.
Ajo pritet të arrijë në Shëngjin rreth orës 12:30, e cila do të jetë edhe e vetmja ndalesë në këtë vizitë disaorëshe, nga ku do të inspektojë ndërtimin e qendrës së pritjes së emigrantëve në Shëngjin dhe do ta shikojë edhe procesin e ndërtimit të ambienteve akomoduese në Gjadër, raportoi “Top Channel”.
Siç raportohet, Meloni dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do t’i adresohen shtypit përmes një konference nga Shëngjini.
Italia dhe Shqipëria kanë arritur marrëveshje pesëvjeçare nëntorin e kaluar që kjo e fundit t’i pranojë azilkërkuesit e kapur në Detin Mesdhe dhe t’i strehojë deri në përpunimin e kërkesës së tyre.
Italia, nga ana tjetër, do të financojë ngritjen e qendrave të pritjes në Shëngjin dhe në Gjadër - si dhe do t’i paguajë shpenzimet për sigurinë dhe kujdesin mjekësor.
Qendrat do të mund të strehojnë maksimum 3.000 azilkërkues brenda një periudhe.