Arbëri

Me vonesë e në vetëm 4 komuna ka nisur procesi i numërimit të votave për deputetë

Numërimi i votave për kandidatët për deputetë i cili është dashur të nisë më së largu në orën 8 të mëngjesit të së hënës, ka filluar tek pasditen e së martës e vetëm në katër komuna. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka arsyetuar vonesën derisa organizatat joqeveritare kanë thënë se ajo mund të ndikojë në dëmtimin e besimit të qytetarëve në rezultatet e zgjedhjeve.

Me rreth 33 orë vonesë e vetëm në katër komuna nga 38 gjithsej, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me numërimin e votave të kandidatëve për deputetë e njëkohësisht edhe të verifikimit të rezultateve të subjekteve politike.

Ky proces, sipas rregullores së KQZ-së për qendrat e numërimit, është dashur të nisë një ditë pas zgjedhjeve, jo më vonë se në orën 8 të mëngjesit në 38 komuna. 

Fillimin me vonesë të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë e arsyetoi zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Tha se vonesa nuk është e madhe e se procesi si i tillë është duke u realizuar për herë të parë.

“Natyrisht se meqenëse se është një ndërmarrje jashtëzakonisht komplekse sidomos edhe sa i përket aspekteve të organizimit të transparencës natyrisht se është dashur edhe pak kohë por që nuk është ndonjë vonesë e madhe të fillimit të numërimit. Edhe në komunat e tjera procesi është duke u përgatitur edhe pritet të filloj gjatë ditës së nesërme”, tha Elezi. 

Procesi i numërimit të votave, përveç në Prishtinë ka nisur edhe në Obiliq, Lipjan e Partesh. 
Mosfillimi në kohë i procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë është kritikuar nga koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”.

Sipas një komunikate nga DNV-ja, vonesat e tilla mundtë ndikojnë në dëmtimin e besimit të qytetarëve.

“Vetëm sot, KQZ ka njoftuar se procesi do të fillojë në orën 16:00, por vetëm në katër komuna. Ky veprim është një improvizim që krijon përshtypjen se situata është nën kontroll, kur në fakt realiteti është ndryshe. Demokracia në Veprim i bën thirrje KQZ-së që pa vonesa dhe në mënyrë transparente të ndajë informacione për ecurinë e procesit të numërimit në QKN dhe pranimin e fletëvotimeve nga jashtë përmes postës. Gjithashtu, kërkojmë që KQZ-ja të angazhohet më intensivisht me të gjitha kapacitetet e saj, në mënyrë që të mos tejkalohen afatet ligjore dhe të mos krijohen vonesa që mund të ndikojnë në certifikimin e rezultateve. Duke mos i ndarë informatat me kohë dhe në mënyrë transparente, KQZ do të mund të dëmtojnë besimin e qytetarëve në rezultatet e zgjedhjeve, gjë që është e papranueshme, sidomos pas një dite të zgjedhjeve demokratike”, tha DnV.

Krahas votave të kandidatëve që numërohen për herë të parë, do të verifikohen edhe votat për subjektet politike, të numëruara në ditën e zgjedhjeve në vendvotime.

Nga përfundimi i numërimit të këtyre votave, varet fillimi i numërimit të votave të mërgatës, atyre me kushte e të personave me nevoja të veçanta.

Sipas Elezi nuk mund të parashikohet afate për përfundimin e procesit të numërimit. 

“Përveç se do të verifikojnë nëse ato janë dërguar nga persona të regjistruar më herët do të vërtetohet edhe nëse brenda një dërgese brenda një pakoje ka më shumë zarfe me fletëvotime apo është ndjekur procedura e përcaktuar nga KQZ-ja”, tha Elezi. 

Sipas Elezit, 104 mijë e 924 qytetarë janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës. 

Prej tyre, 15 mijë e 352 votues kanë votuar nëpër përfaqësitë diplomatike e 68 mijë e 712 sosh kanë përcjellë votat me postë.