Parregullsi të tjera janë gjetur në tenderin për rinovimin e ndërtesës ku ka pasur selinë AAK-ja, e për të cilin Ministria e Bujqësisë e kontraktoi një konsorcium. Në një raport të Auditorit të Brendshëm të kësaj ministrie, të cilin e ka siguruar KOHA, tregohet se për furnizim, transport dhe montim të disa dyerve të të njëjtit lloj, ka pas dy çmime tw ndryshme - për disa 550 euro, për disa të tjera 850 euro
Çmime të ndryshme për punë të njëjta përmban kontrata e Ministrisë së Bujqësisë për rinovimin e objektit të këtij dikasteri, ku për vite ka pasur selinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Për furnizim, transport dhe montim të llojit të njëjtë të derës, dallimi është 300 euro. Në një raport të Auditorit të Brendshëm të kësaj ministrie, të cilin e ka siguruar KOHA, tregohet se për disa dyer të të njëjtit lloj, çmimi ka qenë 550 euro, e për të tjera 850 euro.
“Dallimi në çmim ishte 300 euro nëpër pozicionet e njëjta të përshkrimit të punëve (çmimi ishte 850 dhe 550. Kjo te: Hapësira nr.3. nr.5, nr.6, nr.23 pozicioni nr.11, pastaj hapësira nr.7, nr.8, nr.9, nr. 11, nr.12, nr.13, nr.14, nr.15, nr.19, nr.20, nr.21, nr.22, pozicioni nr.9 dhe hapësira nr.24 pozicioni nr.10)”, thuhet në raport.
Dallime në çmime sipas auditorit pati edhe te pozicioni për “kontrollimin dhe rregullimin e dritareve me dimensione 1.85x0.80m për hapje në krah dhe kiper sipas sistemit ekzistues”. Në dy raste në hapësirat e bodrumit në njërën figuron shuma prej 650 euro, ndërsa në tjetrën 450 euro.
Për këtë aktivitet prokurimi, janë bastisur zyrat e Ministrisë së Bujqësisë një ditë pasi KOHA raportoi se për 33 hapësira të objektit që kanë madhësi të ndryshme, Ministria ka paguar nga 2 mijë euro për largimin e inventarit. Ka ndodhur kjo, ndonëse në një video të siguruar, shihet se bodrumi i përbërë nga nëntë hapësira, është pastruar nga AAK-ja para se të largohej nga ndërtesa. Por, nga kompania fituese e tenderit “Limit Project” që është në konsorcium më kompaninë “Lurn” kanë insistuar se në këto hapësira ka pasur inventar dhe është larguar nga ana e tyre.
E, Auditori i Brendshëm ka gjetur se kontrollet jo të duhura kanë sjellë mangësi në procesin e ekzaminimit, vlerësimit dhe krahasimit të ofertave në këtë aktivitet prokurimi. Sipas raportit, Komisioni i Vlerësimit i Ministrisë nuk kishte kërkuar informata sqaruese dhe sqarimin e tenderit.
Ministria i ka cilësuar devijime të vogla dallimet në çmime. Në një përgjigje dhënë KOHËS, thuhet se devijimet nuk kanë ndikuar në aspektin material të njoftimit për kontratë, përkatësisht dosje të tenderit.
“Neni 59.4 i LPP-së (Ligjit të Prokurimit Publik) gjithashtu lejon autoritetin kontraktues që të pranojë ofertat, në raste të gabimeve ose paqartësive dhe në raste të devijimeve të vogla. Në të dyja rastet është një kusht që aspektet materiale të njoftimit për kontratë/dosjen e tenderit nuk janë prekur. Edhe nëse oferta do të ishte me e madhe për 1,100.00 euro, vlera do të mbetej brenda kufirit të parashikuar në dosjen e tenderit dhe njoftimit për kontratë”, thuhet në përgjigjen e saj.
Sipas Ministrisë, gjatë implementimit të kontratës, këto dallime janë evidentuar nga menaxheri i kontratës dhe janë zbatuar në përputhje me ofertën e tenderit.
E në raportin e Auditorit është rekomanduar që vlerësimi i ofertave të bëhet në përputhje me kërkesat ligjore.
“Ministria të sigurojë forcimin e kontrolleve të brendshme dhe komisionet e vlerësimit të ofertave duhet vepruar në vlerësimin e ofertave në pajtueshmëri me kërkesat e vendosura në dosjen e tenderit dhe njoftimin për kontratë dhe në pajtueshmëri me kërkesat ligjore, si dhe të sigurojë përmes zyrtarit përgjegjës të prokurimit që komisionet e vlerësimit i kuptojnë detyrat dhe përgjegjësitë në procesin e ekzaminimit, vlerësimit dhe krahasimit të ofertave”, thuhet në raportin e Auditorit të Brendshëm të Ministrisë.
Tenderi në vlerë 359 mijë euro, për rinovimin e objektit të Ministrisë së Bujqësisë në Ulpianë i ishte dhënë konsorciumit që përbëhet nga kompanitë “Limit Project” dhe “Lurn”. Krahas kontratës fillestare është firmosur edhe një aneks-kontratë në vlerë prej afro 9 mijë eurosh.