Arbëri

Me shkarkimin e Dakës, pushteti bëhet shumicë në KQZ

Paraditen e së hënës, presidentja Osmani e ftoi në zyrë tashmë ish-kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka. Pas pak orësh e shkarkoi dhe menjëherë e emëroi kryesuesin e ri. E një ditë më vonë, e shpalli datën për zgjedhjet lokale. Këta hapa po shihen si tregues se ishte i motivuar politikisht shkarkimi, me të cilin pushtetit i sigurohet shumica në KQZ

Pushteti do të bëhet shumicë në KQZ, pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani për ta shkarkuar kryetaren e deritashme të këtij institucioni, Valdete Daka, dhe për ta emëruar në vend të saj Kreshnik Radoniqin.

Formula kushtetuese imponon që gjatë kësaj legjislature, pushteti dhe opozita të përfaqësohen me nga pesë anëtarë në institucionin që menaxhon zgjedhjet. Në këtë situatë, vendimmarrja do të diktohej nga vota e kryetares së deritashme, të cilën Vetëvendosje që qeveris me vendin e ka akuzuar vazhdimisht se është në krah të opozitës.

Në shoqërinë civile konsiderojnë se Daka u shkarkua për ta përmbysur këtë realitet forcash në KQZ.

Eugen Cakolli nga KDI-ja ka thënë se vota përcaktuese do të jetë vota e kryetarit të KQZ-së, meqenëse partitë në pushtet dhe ato në opozitë do të kenë raport pothuajse të barabartë. Në parim, sipas tij, kjo do të përbënte një zhvillim pozitiv nisur nga premisa se kryetari do të duhej të ishte faktori kryesor që ndikon në ruajtjen e ligjshmërisë së zgjedhjeve.

“Duke marrë parasysh mënyrën e zgjedhjes së tij, mënyrën e shkarkimit të zonjës Daka, atëherë kjo lë hapësirë për të menduar që të tëra zhvillimet lidhur me KQZ-në kanë qenë pjesë e një plani të madh për ndryshimin e përbërjes në KQZ, në mënyrë që t’i mundësohet partisë fituese të zgjedhjeve që e ka shumicën në Kuvend, që një shumicë të njëjtë ta ketë edhe brenda në QKZ”, ka thënë Cakolli.

Mbështetur në rregullin e deritashëm të përfaqësimit, partitë opozitare duhet t’i ketë pesë anëtarë në KQZ: PDK-ja 2, LDK-ja 1, AAK-ja 1 dhe Lista Serbe 1. Po kaq edhe subjektet në pushtet: Vetëvendosja 2 dhe nga një, tri komunitetet joserbe.

Por, muajin e shkuar kur i ka bërë emërimet e anëtarëve, presidentja Osmani nuk i ka emëruar edhe dy anëtarë dhe ka kërkuar të dijë nga Gjykata Kushtetuese nëse përfaqësimi në KQZ duhet të jetë në proporcion me fuqinë e subjekteve politike në Kuvend.

Kësisoj, formula e re do ta bënte Vetëvendosjen në pushtet me 3 anëtarë, e PDK-në në opozitë do ta linte me një.

Në PDK thonë se të dyja vendimet e Osmanit bëhen për qëllime politike.

“Presidentja me presionin dhe ndërhyrjen në KQZ, si në rastin e mosemërimit të dy anëtarëve, atij të PDK-së, por edhe të Vakatit, si në rastin e shkarkimit të kryetares Daka, është duke i shërbyer koalicionit në pushtet. Dhe, në të njëjtën kohë, është duke cenuar pavarësinë e njërit nga institucionet me kredibile”, ka thënë Betim Gjoshi, një nga sekretarët e PDK-së. “Presidentja Osmani me veprimet e saj është duke e bërë jofunksionale KQZ-në dhe është duke rrezikuar kualitetin e zgjedhjeve. Veprimet e saj janë tepër shqetësues dhe janë duke humbur besimin e publikut në zgjedhjet që do të mbahen në vjeshtë”.

Paraditen e së hënës, presidentja e ftoi tashmë ish-kryetaren Daka në Zyrë. Pas pak orësh e shkarkoi dhe menjëherë e emëroi kryesuesin e ri. E një ditë më vonë, të martën, e shpalli 17 tetorin datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Për Eugen Cakolli, këta hapa e përforcojnë besimin se vendimi ishte i motivuar politikisht.

“Nëse shihen si zhvillime apo hapa, kjo është një tregues i qartë që kemi të bëjmë me një vendim të motivuar tërësisht nga aspekti politik, si për nga përmbajtja e vendimit, po ashtu edhe nga mënyra e marrjes së tij”, ka thënë ai.

Në Presidencë nuk u janë përgjigjur kritikave se me vendimmarrjen kundër Dakës, por edhe me atë paraprake që lidhet me mosemërimin edhe të dy anëtarëve, Osmani po e mundëson kontrollin e partive në pushte mbi KQZ-në.