Arbëri

Me procedurë “sekrete”, Kuvendi shpërbleu kompaninë që një ditë më parë i skadoi kontrata

Me tender njëburimor, Kuvendi ka kontraktuar për shërbime të pastrimit dhe mirëmbajtjes kompaninë se cilës i skadoi kontrata dje. Ndryshe nga kontrata e kaluar, me të renë parashihet që punëtoret të paguhen minimumi 400 euro bruto.

Veç një ditë pasi i skadoi kontrata për mirëmbajtje higjienike Kompanisë Schafberger, Kuvendi i dha tjetrën nëpërmjet tenderit njëburimor, në vlerë 80 mijë euro.

Procedurat e prokurimit që i kishte hapur në gusht, ku kishte ofertuar kjo kompani, Kuvendi i anuloi në fund të tetorit, për ta shpërblyer sërish të njëjtën, dy javë pas, me procedurë negocimi pa publikim të njoftimit për kontratë.

Kohëzgjatja e kontratës do të jetë për 6 muaj.

Me këtë kontratë të re Kuvendi me kompaninë janë marrë vesh që punëtorët të mos paguhen më pak se 400 euro bruto.

Kompanisë që i skadoi kontrata dje, 14 punëtore i ishin ngritur në grevë prej fillimit të shtatorit, për të kërkuar pagë më të lartë se 300 euro bruto.

Kërkesa tyre nuk u trajtua as në muajin tetor, kur u paguan më pak sesa paga minimale e lejuar në Kosovë.

Në kontratë të re nuk është specifikuar numri i punëtorëve, por gjatë ditës, punëtoret greviste thanë se Kompania solli për pastrim në ndërtesë të Kuvendit 5-6 gra të tjera.

Ato thanë se s’morën kurrfarë njoftimi nëse janë ende në punë apo nëse greva disajavore u ka kushtuar me humbje të vendit të punës.

“Hiç nuk na ka thirr kompania nuk na ka kontaktua asnjërës.. I kish marrë diku disa punëtore ku i ka nëpër qendra apo pika të tjera 5-6 vetë dhe 4-5 që i ka pasur aty që kanë qenë të më hershme kështu që neve nuk na është lejuar të hymë atje”, u shpreh Nazife Krasniqi, përfaqësuese e punëtoreve teknike të Kuvendit.

Operatori ekonomik nuk tregoi nëse i ka larguar nga puna punëtoret greviste. 

Këtë shqetësim e ngriti edhe Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist i cili kërkoi mobilizim deri në plotësim të kërkesave të punëtoreve teknike.

“Nga sot, ato janë në rrezik të përjashtohen të gjitha nga puna si hakmarrje për organizimin e tyre punëtor. E gjithë kjo po bëhet me lejen e Kuvendit i cili tash e nëntë javë po ia mban krahun kompanisë dhe jo grevisteve”, thuhet në reagim të Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.

Për shërbimet e njëjta, kësaj kompanie Kuvendi ia kishte dhënë, njëjtë pa publikim të njoftimit për kontratë edhe tenderin e kaluar në vlerë të 66 mijë eurove.