Duke nisur e hëna, do të përballen me gjobitje të gjithë ngasësit e automjeteve që ndalen nga policia dhe prezantojnë si dokument patentë shoferin e lëshuar nga strukturat ilegale serbe. Gjobat do të jenë deri në 1 mijë e 500 euro. Deri të premten, qytetarët kanë mundur t’i konvertojnë në RKS këta patentë shoferë. Numri i atyre që e kanë shfrytëzuar mundësinë është mbi 6 mijë e 500
Gjithsej 6 mijë e 509 qytetarë serbë kanë aplikuar për konvertimin e patentë shoferëve të lëshuar nga strukturat ilegale serbe, në ata të Kosovës.
Vetëm gjatë së premtes, kur ka qenë dita e fundit e afatit për t’i ndërruar këto dokumente, kanë aplikuar 184 qytetarë. Shumica e aplikimeve janë bërë në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok.
Blerim Camaj, kryeshef i Agjencisë për regjistrim civil, ka thënë të premten se qytetarët serbë i janë përgjigjur pozitivisht mundësisë për t’u pajisur me dokumente të Kosovës.
“Po përmbyllet një sukses, një konvertim ilegal në legal që ishte e domosdoshme për shkak se këta qytetarë i konvertuan edhe targat dhe ne e pamë të arsyeshme që t’u mundësojmë qytetarëve që të dalin në komunikacion lirshëm me patentë shoferë të Kosovës.... Sipas informacioneve që i kemi pothuajse të gjithë qytetarët e RKS-së që janë, kanë të pajisur me letërnjoftim i është mundësuar dhe kanë aplikuar për me u konvertu nga patentë shoferi ilegal në RKS”, ka thënë Camaj.
Sipas të dhënave përfundimtare, në katër komunat veriore për konvertim të targave kanë aplikuar gjithsej 5.732 qytetarë serbë, prej tyre 2.018 kanë qenë në Komunën e Leposaviqit, 1.576 në atë të Mitrovicës Veriore, 1.177 në Zveçan dhe 961 në Zubin-Potok.
Nisur nga java e ardhshme, më nuk do të lejohet ngasja e automjeteve me dokument jovalid, ka bërë të ditur zëvendëskomandanti i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani.
“Deri sot, në ora 16, ky është një vendim me quajt politik që e ka zgjedh këtë problem dhe ka qenë zgjidhje e problemit politik, në ora 16 e tutje ky është problem policor. Dhe ne do të merremi me ta sikurse në regjione të tjera në Pejë, Gjakovë, Prishtinë, apo kudo tjetër”, ka thënë Elshani.
Ai ka treguar se deri të hënën ngasësve me patentë shoferë ilegalë do t’u rikujtohet se ky dokument më nuk vlen dhe se do të nisë edhe shqiptimi i gjobave.
“Nga e hëna, ne do të vazhdojmë punën ashtu siç veprohet në Pejë. Ka mundësi që personi që është aty nuk ka patentë shofer, i jepet një tiketë e cila është për Gjykatë, nga 500 deri në 1.500 euro, dhe ai person duhet të ndërrohet me një shofer i cili ka patentë shofer valid”, ka bërë të ditur Elshani.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) pati vendosur që nga 9 maji i këtij viti t’ua lejojë serbëve t’i konvertojnë patentë shoferët ilegalë në RKS, pa pasur nevojë që t’u nënshtrohen provimit.
Vendimi i Qeverisë dhe i Ministrisë për t’u mundësuar serbëve lehtësira për pajisje me patentë shoferë të Kosovës ishte mirëpritur nga Shtetet e Bashkuara (SHBA), Britania e Madhe, Gjermania dhe Italia.
Procedura për pajisje me patentë shoferi të Republikës së Kosovës zgjat pesëmbëdhjetë ditë. Patentë shoferi i lëshuar nga strukturat serbe i kthehet aplikuesit si dokument i pavlefshëm dhe i njëjti pajiset me patentë shoferin e Republikës së Kosovës.
Konvertimit të patentë shoferëve të Serbisë me ato të Kosovës i ka paraprirë procesi i riregjistrimit të automjeteve nga targat ilegale serbe me akronime të qyteteve të Kosovës në ato RKS.
Çështja e riregjistrimit të automjeteve në fund të vitit 2022 ishte bërë shkak i një sërë krizash në veri të Kosovës, përfshirë largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës, protestat, barrikadat dhe bojkotin e zgjedhjeve. Krizat kulmuan me një sulm të armatosur ndaj Policisë së Kosovës nga një grup serbësh më 24 shtator të vitit të shkuar në Zveçan.
Stano: BE-ja mirëpret masat e Kosovës për konvertimin e patentë shoferëve për serbët
Bashkimi Evropian i ka lavdëruar të premten institucionet e Kosovës për zhvillimin e procesit të konvertimit të patentë shoferëve ilegalë serbë në ata legalë.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka theksuar për N1 se BE-ja e mirëpret çdo hap të ndërmarrë me qëllim të vazhdimit të lejimit të sa më shumë serbëve të Kosovës që të përdorin patentë shoferët e lëshuar nga Kosova. Ai ka theksuar se Brukseli e inkurajon Prishtinën zyrtare që të miratojë masa të mëtejshme që do t’u mundësonin sa më shumë serbëve të marrin edhe dokumente shtesë, siç është letërnjoftimi.