Arbëri

Më pak vjet burgim sesa numri i vrasjeve për të cilat u shpall fajtor Ekrem Bajroviqi

Me 12 vjet burgim është dënuar Ekrem Bajroviqi të premten, pasi që është shpallur fajtor për krime lufte në Saradran të Istogut. Sipas aktakuzës, Bajroviqi bashkë me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe i kanë nxjerrë burrat civilë shqiptarë nga kolona dhe në shtëpinë e Demë Zeqirit i kanë keqtrajtuar dhe më pas i kanë vrarë 15 prej tyre. Ndaj vendimit janë ankuar dëshmitarët, sipas të cilëve dënimi është i ulët në raport me shkallën e krimit

Ish-polici i Serbisë, Ekrem Bajroviq, është shpallur fajtor të premten për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë, të kryera 25 vjet më parë. Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka shqiptuar atij më pak vjet burgim sesa numri i vrasjeve për të cilat është shpallur fajtor.

Bajroviqi është dënuar me 12 vjet burgim, pasi që është fajësuar se si polic i Serbisë, në bashkëpunim edhe me të tjerë, në majin e 1999-s e ka ndalur në Saradran të Istogut një kolonë me civilë shqiptarë që po iknin për në Shqipëri dhe i ka marrë nga aty 16 burra, i ka çuar në një shtëpi dhe pas maltretimeve 15 prej tyre janë vrarë.

Mentor Bajraktari, kryetar i trupit gjykues, e ka arsyetuar vendimin e marrë për dënimin e Bajroviqit. 

“Bënte pjesë edhe i akuzuari Bajroviq, ashtu që nën kërcënimin e armëve i ndanë meshkujt nga pjesa tjetër civile, ku ishin gratë dhe fëmijët, ashtu që fillimisht ua marrin paratë dhe gjësendet e tjera me vlerë e më pas të gjithë i vendosin në oborrin e Edim Zeqirit duke i renditur një nga një me radhë me duar të ngritura lart dhe me fytyrë nga muri i oborrit, pastaj duke i rrahur me mjete të ndryshme, duke u shkaktuar dhunë dhe duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore, duke iu thënë ku e keni NATO-n dhe ku e keni UÇK-në dhe pastaj me forcat paramilitare i dërguan një nga një në shtëpinë e Zymer Sadikut dhe i pushkatuan të paktën 16 civilë të nacionalitetit shqiptar, në mesin e tyre edhe të mbijetuarin dhe të dëmtuarin Naim Elshani”, ka thënë ai.

Por i mbijetuari Naim Elshani dhe një dëshmitar tjetër nuk janë ndarë të kënaqur me shkallën e dënimit.

“Ky vendim është qesharak, sepse ky është dashur që t’i marrë 30 vjet burgim. Unë jam i mbijetuari i krimit, tmerrit, torturës, masakrimit, ku më kanë gjuajtur mbi kufoma, më kanë rënë me mjete të rënda”, ka thënë Elshani, dëshmitar dhe i mbijetuar i krimit të 1999-s.

Me Elshanin është pajtuar edhe dëshmitari tjetër, Daut Elshani.

“Ky që është dënuar pak janë, po bile me ditë, që ka marrë pjesë në këtë masakër të Saradranit me kolegët e vet”, ka thënë ai.

Qëndrim ndryshe ka shprehur avokati i Bajroviqit, Millosh Deleviq, i cili ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit, pasi që ka thënë se aktgjykimi nuk është bazuar në prova.

“Nuk e ka pasur për qëllim kënaqjen e drejtësisë, porse të kënaqen mediat dhe publiku i Kosovës. Konsiderojmë se Ekrem Bajroviqi nuk është fajtor dhe se nuk ka asnjë dëshmi që ai ka marrë pjesë në vrasjen e civilëve. As edhe një dëshmitar nuk e ka deklaruar këtë, përkundrazi kanë deklaruar se ka marrë pjesë në shpëtimin e civilëve. E këtë sot nuk e kemi dëgjuar nga ana e gjyqtarëve. Ne do të paraqesim ankesë për këtë vendim, kemi një afat prej 30 ditësh, kështu që drejtësinë e presim nga Gjykata e Apelit”, ka theksuar ai.

E pas kësaj deklarate të avokatit Deleviq ka reaguar dëshmitari Ylber Lipa.

“Sapo e dëgjova deklaratën e avokatit. Kjo është një deklaratë nacionaliste dhe është një deklaratë çnjerëzore”, ka thënë ai.

Aktakuza ndaj Ekrem Bajroviqit është ngritur më 15 shtator të vitit të shkuar.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa që prej 2008-s, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Në vitin 2018 ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore. 

Gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe me mijëra të tjerë janë zhdukur. Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.