Arbëri

Më pak aktivitet fizik, e më shumë fëmijë obezë në Kosovë

*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani”!

Për 9 për qind është rritur numri i nxënësve me mbipeshë, krahasuar me vitin paraprak, thonë të dhënat e Komunës së Prishtinës, të nxjerra nga vizitat sistematike shëndetësore në shkolla. Mësimdhënës të edukatës fizike thonë se ka rënie të aktivitetit fizik te nxënësit, e cila është e shoqëruar edhe me zhvillim të dobët. E, profesionistë shëndetësorë numërojnë pasojat afatshkurtëra dhe afatgjate, nga aktiviteti i pamjaftueshëm fizik i fëmijëve

Nuk është reflektuar në kurrikulën shkollore në Kosovë rekomandimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që fëmijët të kenë të paktën 60 minuta aktivitet fizik çdo ditë. 

Nxënësit mbajnë vetëm dy herë në javë lëndën e Edukatës Fizike.

Mësimdhënësi i kësaj lënde në shkollën “Faik Konica”, Ismet Ferati, thotë se fëmijët nuk janë të fortë fizikisht, e një ndër arsyet është edhe fondi i vogël i orëve mësimore që nxisin zhvillimin e aktiviteteve fizike. 

“Mendoj që orët duhet të jenë si në shtete të rajonit. Për shembull, në Shqipëri janë tri orë, katër orë janë në Maqedoni dhe në Serbi po ashtu, pse mos me qenë edhe te ne. Mirëpo e kompensojnë në klubet të cilat janë, por kohëve të fundit e kemi vërejtur edhe ne si mësimdhënës apo si trajnerë që ka pasivitet më të madh se në vitet e kaluara”, ka thënë Ferati.

Një hulumtim i disa profesorëve të Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit, që funksionon në kuadër të Universitetit të Prishtinës, ka gjetur se fëmijët kosovarë janë 40 për qind më të dobët fizikisht se moshatarët e tyre në vendet e rajonit, për shkak të mungesës së aktivitetit fizik. 

Mësimdhënësi Ferati thotë se fëmijët kanë mungesë të aktivitetit fizik edhe jashtë orarit mësimor. Ai thotë se kjo është edhe për shkak të mungesës së sigurisë në hapësirat rekreative.

“Në lagjen ku jam unë ka fusha, mirëpo pak është edhe deri te siguria pasi që jeta është e tillë që jeta është më e rrezikshme sesa vitet e kaluara, pasi nuk e ndiejnë veten të sigurt në disa fusha sportive, por janë disa persona që nuk janë kompetentë të qëndrojnë, aty mos të them që janë të rrezikshëm, edhe prindërit nuk ndihen të sigurt t’i lëshojnë fëmijët në ato fusha”, ka thënë Ferati.

Mungesa e aktiviteteve fizike, ka efekte afatgjate në shëndetin e fëmijëve, thonë mjekët.

Pediatrja Valbona Nushi-Stavileci ka përmendur edhe pasoja që mund të shihen në afatshkurtër.

“Mungesa e koncentrimit është afatshkurtër, vëmendjes, disponimit, optimizmit për punë, punës vullnetare, rritja e obezitetit, rritja e peshës, mungesa e fuqisë e kondicionit, nuk kanë forcë muskulore, kanë deformime të eshtrave dhe kurrizit, këto janë afatshkurtra”, ka thënë Nushi-Stavileci. “Ndërsa afatgjate janë: sëmundjet e tensionit të gjakut, diabetit/sheqerit, hipertensionit arterial, sëmundjet kardiovaskulare”.

Rritja e problemeve shëndetësore te fëmijët është shqetësim i shprehur edhe nga komunat. 

Sipas të dhënave të Komunës së Prishtinës, gjatë vizitave sistematike shëndetësore në shkolla, është parë se ka rritje të mbipeshës te nxënësit, për 9 për qind në krahasim me vitet paraprake.

E, një hulumtim i publikuar në vitin 2021 nga OBSH-ja, i cili trajton angazhimin sportiv të fëmijëve në Evropë, thekson faktin se aktiviteti i rregullt fizik, rritja e edukimit fizik dhe klasat aktive, jo vetëm që mbrojnë shëndetin e nxënësve të shkollës, por edhe përmirësojnë arritjet e tyre akademike. 

“Është e dokumentuar mirë se aktiviteti fizik ka efekte të dobishme për shëndetin fizik dhe mendor. Nëse synimet e zhvillimit të qëndrueshëm duhet të arrihen, është thelbësore që nivelet e aktiviteteve fizike të rriten në të gjitha grupmoshat, por veçanërisht për fëmijët dhe adoleshentët. Megjithatë, pasiviteti fizik po rritet ndjeshëm për të rinjtë, pjesërisht për shkak të rritjes së metodave që përfshijnë qëndrimin ulur në shkollë”, shkruan në raport.

Edhe pediatrja Nushi-Stavileci thotë se është e domosdoshme që fëmijët të mësohen t’i shijojnë aktivitetet sportive.

“Fëmijës t’ia mësojnë ndjesinë sesi ndihen pas një aktiviteti fizikë, t’i përjetojë fëmija ato hormonet e lumturisë që lirohen pas aktiviteti fizik, e bëjnë që pastaj ta dëshirojnë dhe ta rikthejnë atë ndjenjë dhe të vazhdojnë të bëjnë aktivitet fizike”, ka thënë ajo. 

Pasivizimi i fëmijëve është edhe për shkak të mungesës së infrastrukturës në shkolla. Mënyra e zhvillimit të lëndës së edukatës fizike shpesh përcaktohet nga moti. Në mungesë të sallës sportive, në ditë me mot të lig, lëndën e edukatës fizike mësimdhënësit e mbajnë brenda në klasë.