Arbëri

Me ndryshime ligjore synohet të parandalohen rastet sikur ai i “gylenistëve”

Kur janë bërë gati katër vjet prej kur Kosova arrestoi dhe dëboi gjashtë shtetas turq, që Ankaraja zyrtare i akuzonte për “gylenistë”, Qeveria ka ndërmarrë nismë ligjore për të mos lejuar përsëritjen e rasteve të këtilla.

Një komision hetimor parlamentar gjeti se ishin bërë 31 shkelje ligjore me këtë rast.

E, ekzekutivi tashmë ka hartuar draftin e një koncept-dokumenti, që parasheh ndryshime ligjore dhe që në to t’i përfshijë rekomandimet e komisionit.

“Të ndryshohet dhe plotësohet Ligji Nr. 04/L-219 për të Huajt, në mënyrë që të ndalojë dëbimin ose ekstradimin e të huajve në vendet ku ata mund t’u nënshtrohen torturës ose dënimeve, ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese, në përputhje me parimin e së drejtës ndërkombëtare, non-refoulement”, thuhet në draftin e koncept-dokumentit.

Mes të tjerash, kërkohet që ndryshimet ligjore të parashohin krijimin e një mekanizmi institucional që vlerëson nëse të huajt, me rastin e dëbimit ose ekstradimit në një vend të caktuar, mund t’u nënshtrohen në atë vend torturës, dënimeve, trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.

Në marsin e 2018-s u dëbuan 6 shtetas turq, ani se kishin leje qëndrimi të rregullt në Kosovë. Dëbimi ishte bërë me kërkesë e me përfshirje në aksion të autoriteteve të Turqisë.

Drafti i koncept-dokumentit kërkon që ndryshimet ligjore ta pamundësojnë dëbimin e të huajve, për aq kohë sa ata nuk e shterin mundësinë e ankimimit.

“Duke u bazuar në instrumentet ndërkombëtare relevante, por edhe në rekomandimet e raportit të Komisionit parlamentar, me anë të ligjit të ri do të ndalohet dëbimi i të huajve para se ta ushtrojnë të drejtën e tyre për ankesë kundër dëbimit të vet, te një autoritet i pavarur, thuhet në draftin e koncept-dokumentit.

Për këtë nismë ligjore, nuk pranuan të flasin gjatë ditës në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Në muajin shkurt, kundër ish-kreut të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, dhe dy të tjerëve është ngritur aktakuzë, në lidhje me rastin e deportimit të shtetasve turq, pa përfillur procedurat. Të gjashtit u dënuan më pastaj në Turqi, me 56 vjet e 7 muaj burgim në total, nën akuzën se i takonin lëvizjes së Abdullah Gylenit, që autoritetet në Turqi e akuzojnë për tentim-puçin ushtarak të 2016-s.