Arbëri

Me kërkesën për rritje pagash, mësimdhënësit bëjnë presion sindikal që nga viti 2003

Që nga viti 2003, mësimdhënësit kanë përdorur presionin sindikal për të arritur qëllimin që lidhet me pagën. Historia e grevave tregon se jo në shumë raste, qëllimet janë arritur. Raporti: D. Fazliu & F. Abazi

D. Fazliu & F.Abazi        

Kërkesa për rritje pagash, mësimdhënësit bashkë me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, kanë pasur ndër vite, që nga paslufta. Jo rrallëherë, ato kanë synuar t’i arrijnë edhe me grevë.

Një muaj e një javë, punonjësit e arsimit e bllokuan procesin mësimor në vitin 2022. Asokohe, u kërkua rritja e pagës për 100 euro. Qeveria ofroi opsionin e shtesës mujore prej 50 eurosh për tre muaj, por fillimisht nuk u pranua nga sindikalistët.

Ish-zëvendësministri i arsimit, Xhavit Rexhaj, në një intervistë në emisionin “60 Minuta”, tha se greva e paralajmëruar edhe tani, mund të interpretohet si e motivuar politikisht.

“Çdo veprim para fushate ose pas fushate elektorale doemos që do të ketë premisa të politizimit apo të përdorimit në luftën për pushtet, qoftë prej SBASHK-ut, opozitës apo prej Qeverisë. Veprime të tilla, në kohë të fushatës zgjedhore, ju kujtohet kontrata me SBASHK-un për kontratën kolektive, e dimë se çfarë pasojash ka sjellë ajo marrëveshje”, theksoi Rexhaj  

Sindikalistët e arsimit edhe gjatë mandateve të shkuara, nëpërmjet presionit sindikal arritën qëllime që lidhet me pagën.

Gjysmëvjetori i dytë i vitit 2019, i gjeti profesorët në greva. Pas saj, u bënë ndryshime në Ligjin për pagat, me qëllim të rritjes së koeficientit për ta.

Megjithëkëtë, ligji nuk hyri në fuqi, meqë Gjykata Kushtetuese fillimisht e pezulloi, e më pas edhe e shpalli kundërkushtetues.

Ish-zëvendësministri Rexhaj thotë se grevat janë pasojë e veprimeve të qeverive.
“Në këtë situatë kemi ardhur për shkak se çështjet e mësimdhënësve nuk janë me prioritet dhe nuk janë me program, por gjithmonë trajtohen me imponim, por trajtohen vetëm kur ka greva dhe për çështje të zgjedhjeve”, deklaron Rexhaj.

Për njohjen e kontributit të mësimdhënësve në vitet 1989-99 është bojkotuar mësimi edhe në vitin 2016.

E për rritje të pagave, mësimdhënësit grevuan edhe në 2015-n.

Grevë disajavëshe për ngritje të pagave ka pasur edhe në vitin 2003.

Ani pse shumë nxënës humbën mësimin atëkohë, pagat mësimdhënësve u ishin ngritur vetëm për shtatë euro.