Arbëri

Me kërkesë të Selimit, Gogaj nuk qëndroi në Burgun e Sigurisë së Lartë

I akuzuari për vrasjen e Agonis Tetajt, Shaban Gogaj, dhjetorin e vitit të kaluar ishte transferuar në Burgun e Sigurisë së Lartë. Kjo pasi që ishte gjetur një telefon mobil në qelinë ku po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Megjithatë, ai prapë ishte kthyer në Prizren, dhe kjo me kërkesë të ish-ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi

Një telefon mobil ishte gjetur në qelinë ku mes të paraburgosurve ishte edhe Shaban Gogaj, i akuzuari për vrasjen e Agonis Tetajt.

Për këtë shkelje, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ishin shqiptuar masa ndaj tyre, meqë asnjëri nuk kishte treguar se i kujt është telefoni, dhe Gogaj ishte transferuar në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Por atje nuk kishte qëndruar gjatë, dhe ishte kthyer në Prizren sërish, e kjo sipas burimeve të KOHËS, kishte ndodhur pas një kërkese të tani ish-ministrit të Drejtësisë.

Madje, vetë Selim Selimi nuk e mohon një gjë të tillë.

“Si jurist unë besoj që sistemi korrektues duhet të jetë në funksion të rehabilitimit dhe risocializimit e posaçërisht tek të rinjtë. Ky rehabilitim e risocializim duhet të fillojë nga pendimi. Sidoqoftë, transferet e tilla nuk ndikojnë në trajtimin e rastit nga Prokuroria dhe gjykata, të cilat janë të pavarura. Për më shumë, e përkrahi deri në pafundësi punën e kryeprokurorit dhe prokurorëve që tani janë duke e trajtuar rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se sa ishte ministër i Drejtësisë ka pranuar me qindra letra e kërkesa nga të burgosurit dhe ata që mbahen në Shërbimin Korrektues të Kosovës për trajtimin e tyre.

Shërbimi Korrektues i Kosovës në një përgjigje për KOHËN ka konfirmuar kontrollin, masat e shqiptuara pas gjetjes së mobilit, si edhe vendimin për transferim në burgun e Sigurisë së Lartë.

“Pas një kontrolli të organizuar në dhomën ku ishte i vendosur, i paraburgosuri Sh. G është gjetur një telefon mobil, ku të gjithë personave të kësaj dhome u është shqiptuar masa disiplinore për posedim të kontrabandës pasi që asnjëri nga të burgosurit nuk kanë pranuar se telefoni është i ndonjërit prej tyre. Andaj, me datën 08.12.2020 është marrë vendim që i paraburgosuri në fjalë, përkohësisht të transferohet nga QP e Prizrenit për në Burgun e Sigurisë së Lartë”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.

Por, për arsyet e kthimit në Prizren, më 21 janar të këtij viti, nuk përmendet kërkesa e ish-ministrit Selimi, por mes të tjerash edhe fakti që seancat ndaj tij ishin të caktuara më 25 të atij muaji.

“Po ashtu, situata me pandeminë, vendosja në karantinë, ku ishte një relacion i gjatë nga Burgu i Sigurisë së Larte për në QP Prizren, transporti i tij gjatë seancave, të gjitha këto janë marrë parasysh, për çka edhe është vendosur që deri në përfundimin e procesit gjyqësor i njëjti të jetë sa më afër gjykatës dhe pas përfundimit të procesit të transferohet për në BSL”, thuhet në përgjigje.

Avokati i Gogajt, Besnik Berisha, i kontaktuar nga KOHA, ka thënë të mos ketë bërë ndonjë kërkesë në emër të klientit të tij për këtë çështje, e madje edhe ka vënë në dyshim edhe përfshirjen e ish-ministrit Selimi.

“Për z. Gogaj dhe në emër të tij, unë asnjëherë nuk kam parashtruar kërkesë për ndërrimin e qendrës së paraburgimit dhe nëse juve u është thënë ashtu, atëherë ajo është thjesht një gënjeshtër. Gjykoj se edhe ‘informata’ juaj se transferi i z. Gogaj nga një qendër paraburgimi në tjetrën është bërë me kërkesën e ministrit të Drejtësisë është gjithashtu spekulim”, ka deklaruar Berisha.

këtë çështje është në njohuri edhe kabineti i ministres së re të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që e konsideron si në prej parregullsive që e ka hasur, e që siç thuhet në përgjigjen e tij, janë duke e shqyrtuar me seriozitet.

“Sipas informacioneve që kemi nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, mund të konfirmojmë që personi në fjalë për shkak që është zënë me telefon është transferuar në BSL, mirëpo pastaj është kthyer sërish në Prizren dhe kjo është bërë me kërkesë të ish-ministrit Selim Selimi. Lidhur me detajet dhe arsyet mbi këtë, luteni të drejtoheni tek ish-ministri Selimi dhe drejtori aktual i SHKK-së. Gjatë kësaj kohe kemi pranuar shumë informacione që ndërlidhen me parregullsi në SHKK e të cilat jemi duke i shqyrtuar me seriozitet”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të ministres së Drejtësisë.

Masat disiplinore ndaj të paraburgosurve rregullohen me ligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale dhe udhëzimin administrativ për dënimet dhe procedurën disiplinore për personat e dënuar.

Vendimet për to merren nga komisioni disiplinor dhe rekomandimet shkojnë për aprovim ose refuzim te drejtori i përgjithshëm i SHKK-së, që i bie jashtë kompetencave të Ministrisë së Drejtësisë.