Arbëri

Me aderimin në Këshillin e Evropës synohet zhbllokimi i nyjës rreth anëtarësimeve

Edhe pse rritja e prezencës në mekanizmat ndërkombëtare përbënte një nga synimet kryesore të politikës së jashtme, anëtarësimi në Komisionin e Venecias në vitin 2014 mbetet aderimi i fundit shumëpalësh i madh për Kosovën. Ish-diplomatë dhe njohës të integrimeve vlerësojnë se anëtarësimi eventual në Këshillin e Evropës do ta zhbllokonte nyjën e krijuar prej vitesh rreth anëtarësimeve.

Shterpësisë disavjeçare të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, Kosova synon t’i japë fund me kurorëzimin e aderimit në organizatën më të vjetër evropiane. Dy vjet pas aplikimit, ka një rekomandim që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtarja më e re e Këshillit të Evropës, organizatë e themeluar në vitin 1949. 

Edhe pse rritja e prezencës në mekanizmat ndërkombëtarë përbënte një nga synimet kryesore të politikës së jashtme, anëtarësimi në Komisionin e Venecias në vitin 2014 mbetet aderimi i fundit shumëpalësh i madh për Kosovën.

Ish-diplomatë dhe njohës të integrimeve vlerësojnë se anëtarësimi eventual në Këshill do ta zhbllokonte nyjën e krijuar prej vitesh rreth anëtarësimeve.  

“Pa diskutim që nëse Kosova anëtarësohet në Këshillin e Evropës do të jetë jo vetëm një lajm i mirë, por do të ndikojë në fuqizimin e shtetësisë, ndërtimin e imazhit të Kosovës dhe do t’i japë një lloj guximi për të shkuar më tutje dhe për të aplikuar në organizata të tjera ndërkombëtare, sepse mospranimi i Kosovës në UNESCO vërtet ka qenë një goditje. Mungesa e njohjeve prej vitit 2020, kur na njohu Izraeli në vitin 2020, e ka krijuar njëfarë ‘status quoje’, e cila vërtet ka qenë shterpë”, ka thënë ish-diplomati Sylë Ukshini.

Leonora Kryeziu, e cila udhëheq Institutin për Studime Politike (PIPS) që ndërvepron edhe me Këshillin e Evropës, ka thënë se anëtarësimi është i rëndësishëm për disa arsye. 

“E para, për shkak se ne kemi dërguar një aplikim për anëtarësim në BE, i cili fare nuk është konsideruar, gjë që tregon se të gjitha vendet që ose aspirojnë integrimin në BE, ose janë anëtare, fillimisht Këshilli i Evropës është dera e parë, filtri i parë që këto vende e kalojnë. Raporti i Komisionit Evropian që bëhet për të gjitha vendet, pjesa që i përket sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, të demokracisë, merren nga Këshilli i Evropës”, ka thënë ajo.

Serbia, e cila ka penguar çdo mësymje të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata, e kualifikoi gjest armiqësor edhe anëtarësimin eventual të Kosovës në Këshillin e Evropës. Së fundi, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq mandatoi edhe një ekip për të lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill.

Janë edhe dy votime deri në anëtarësimin e Kosovës, njëri më 16 prill e tjetri në maj të këtij viti, kur Këshilli i Ministrave duhet ta thotë fjalën përfundimtare.