Arbëri

Më 6 prill mbahet seanca ndaj ministrit Aliu

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka caktuar 6 prillin si datën për mbajtjen e seancës ndaj Liburn Aliut dhe të tjerëve, që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar për KOHËN se gjyqtari i rastit, Alban Ajvazi, ka vendosur 6 prillin si datën për shqyrtimin fillestar ndaj ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut.

“Seanca është caktuar për datën 6 prill në orën 10:00. Kjo është bërë me vendim të gjyqtarit të rastit, Alban Ajvazi”, ka thënë Gashi për KOHËN.

KOHA kishte siguruar aktakuzën e plotë ndaj Liburn Aliut dhe të tjerëve, për kohën sa ministri i tashëm i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ishte drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës. Ai dhe zyrtarët e tjerë akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.