Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka deklaruar se Qeveria Kurti është qeveria më e dobët në histori të Kosovës.
Ai ka ftuar kryeministrin Albin Kurti që të shkojë në Kuvend për ballafaqim me opozitën.
“Më 22 mars kemi pasur një kërkesë për t’u ballafaquar opozita me kërkesën për mocion përmbajtjesor për shkarkim të Qeverisë. Kurti të vjen në Kuvend dhe të ballafaqohet dhe t’i shohim rezultatet e kësaj qeverie. Kjo Qeveri është më e dobëta në histori të Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.
Duke folur për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, ai ka theksuar se Kosova e meriton këtë ngase i ka përmbushur të gjitha kushtet.
E, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se më 2 maj në Kuvend do të diskutohet për Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për Kosovën.
Sipas tij, për shkak të mungesës së deputetëve opozitarë, votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare po pamundësohet.
“Asnjë nga këto marrëveshje nuk ka asgjë kontestimore. 390 milionë euro të mbetën për shkak të tekave politikave...Shumica parlamentare është duke punuar që të sigurohet konsensusi i nevojshëm për votimin e projektkodit Civil”, ka thënë Muja.
E, Muja ka thënë se nuk do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetutese draftatatutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “për t’u anëtarësuar në KiE”.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka deklaruar se Qeveria Kurti ka për qëllim kalimin e ligjeve antikushtetuese, kapjen e agjencive dhe pengimin e punës së Kuvendit.
“Qeveria Kurti ka tendenca kalimin e ligjeve antikushtetuese, që ne e kemi kundërshtuar për të ruajtur stabilitetin. Kapjen e paligjshme të agjencive e për këtë kapje Qeveria është treguar e zonja dhe e suksesshme. Shumica e institucioneve sot janë të mbushura me militantë të VV-së. Pengimi i vazhdueshëm i LVV-së që të kryejë Kuvendi një detyrë si mbikëqyrjen parlamentare, duke penguar në vazhdimësi punën mbikëqyrëse të komisioneve parlamentare”, ka thënë Gashi.
Ai ka theksuar se partia e tij ka ofruar qasje pragmatike dhe zgjidhje “për të gjitha çështjet”.
Në seancën pasuese, Gashi ka thënë se do të mbajnë debat parlamentar për punën e Qeverisë Kurti.
Blerta Deliu-Kodra e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka deklaruar se Qeveria duhet të jetë e përgjegjshme dhe t’i japë epilog procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.