Bashkimi Evropian ka konfirmuar se më 17 dhjetor do të mbahet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në nivel kryenegociatorësh.
Zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anitta Hipper ka thënë se të dy palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim dhe se aty do të “shqyrtojnë një sërë çështjesh, përfshirë atë për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve”.
Kjo datë ishte përmendur edhe më herët, por u konfirmua nga zëdhënësja Hipper.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan herën e fundit në tetor.
As aty nuk u arrit ndonjë rezultat konkret drejt zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të dakorduar nga palët në vitin 2023.