Arbëri

Me 10 vjet vonesë, Mitrovica në përpjekje për të mbështetur personat me aftësi të kufizuara

Në dokumentin i cili është në konsultim publik, komuna pranon se nuk ka arritur të ofrojë shërbime për personat me aftësi të kufizuara. E, për shkak të mungesës së mbështetjes institucionale “Handikos Mitrovica” ka gjashtë muaj që ka ndërprerë ofrimin e shërbimeve për këtë kategori

Komuna e Mitrovicës nuk ka një plan të veprimit për përmirësimin e mirëqenies së personave me aftësi të kufizuara.

Strategjia nacionale për personat me aftësi të kufizuara e vitit 2013, por edhe ajo e tanishmja e 2023-s, kërkojnë që komunat të përpilojnë një plan të veprimit.

Me dhjetë vite vonesë, Komuna e Mitrovicës synon të krijojë një plan të veprimit për këtë kategori. Dokumenti, që përfshin ndërmarrjen e aktiviteteve për një periudhë tri vjeçare, është në konsultim publik deri në nëntor. 

“Në vitin 2013 është zhvilluar Strategjia Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara për një periudhë 10-vjeçare e cila ndër të tjerash, parasheh edhe krijimin e planeve komunale për aftësinë e kufizuar. Mirëpo deri më tani, ky hap i rëndësishëm për PAK, nuk është ndërmarrë dhe komuna e Mitrovicës së Jugut ende nuk e ka zhvilluar planin e saj të veprimit për personat me aftësi të kufizuara, prandaj paraqitet problem në zhvillimin e aktiviteteve si dhe në buxhetimin adekuat për plotësimin e nevojave të këtij grupi të qytetarëve”, thuhet në dokument.

Në të, komuna pranon se nuk ka arritur të ofrojë shërbime për personat me aftësi të kufizuara.

“Ky grup i qytetarëve nuk ka qasje në shërbime profesionale psiko-sociale dhe shëndetësore. Gjithashtu komuniteti i PAK, janë të diskriminuar në shfrytëzimin e qasjes në hapësirat publike, përfshirë dhe objektet e institucioneve publike dhe të mirat e tjera që ofrohen nga komuna për qytetarët e saj”, shkruan në dokument.

Për shkak të mungesës së mbështetjes institucionale “Handikos Mitrovica” ka gjashtë muaj që ka ndërprerë ofrimin e shërbimeve për personat me aftësi të kufizuara.

Myrvete Hasani, drejtoreshë në “Handikos Mitrovica”, shpreson që situata do të ndryshojë për të mirë.

“Sa u përket kushteve, gjendjes së personave me aftësi të kufizuara në Komunën e Mitrovicës, nuk kemi buxhet të mjaftueshëm dhe nuk kemi aq përkrahje për të zhvilluar aktivitetet e fëmijëve me aftësi të kufizuar, të cilat janë zhvilluar deri më tani, mirëpo gjatë gjashtë muajt e fundit ne nuk kemi aktivitete për shkak të buxhetit, ne shpresojmë që edhe në plane, ne shpresojmë që të ardhmen do të përkrahen shërbimet”, ka thënë ajo.

Në planin e veprimit parashihet mbulimi i shpenzimeve komunale për OJQ-të që ofrojnë shërbime për këtë kategori.

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka thënë se ky dokument strategjik do të shërbejë në promovimin e të drejtave, dinjitetin dhe mirëqenien e kësaj kategorie të qytetarëve në shoqëri.

“Personat me aftësi të kufizuara (PAK) duhet të përfshihen në të gjitha segmentet e shoqërisë si në atë ekonomik, politik, shoqëror dhe kulturor dhe pikërisht përmes këtij dokumenti komuna e Mitrovicës së Jugut do të dizajnojë mënyra për ndërhyrje dhe për të krijuar zgjidhje të qëndrueshme të sfidave të cilat hasen sot në procesin e përfshirjes së PAK në shoqëri”, është deklarimi i Hamzës, i vendosur në hyrje të dokumentit.

Gjithashtu, në këtë dokument kërkohet që të bëhet edhe vlerësimi i objekteve publike me pengesa në qasje.

Një tjetër pikë është edhe punësimi i personave me aftësi të kufizuara. Synohet që të arrihet bashkëpunimi me bizneset vendore për punësim të kësaj kategorie.

Gazmend Hasani, i cili është person me aftësi të kufizuara, ka theksuar se është e rëndësishme që të bashkëpunohet me kompanitë vendore, pasi diskriminohen në tregun e punës.

“Shteti duhet me këqyrë, sidomos këta që janë të shkolluar dhe me punu, pasi kanë shumë paragjykime nga firmat, ku i thonë ti nuk je për punë, ti je për të qëndruar në shtëpi”, ka thënë Hasani.

Njëjtë si qytetarët e Mitrovicës, edhe në komunat e tjera, personat me aftësi të kufizuara përballen me mungesë të ofrimit të shërbimeve shëndetësore, pa përkrahje në shkollim, e me qasje të kufizuar të lëvizjes në institucione publike.