Ministria e Drejtësisë synon themelimin e mekanizmit për mbështetje të Koordinatorit Nacional Kundër dhunës në familje. Një gjë e tillë është mirëpritur nga Rrjeti i Grupit të Grave, pasi sipas tyre kjo do të ndihmonte në trajtimin më të dinjitetshëm të rasteve të dhunës në familje. Prioritet për këtë vit janë edhe Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Ligji për ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje
Gjatë tre muajve të parë të vitit, 489 persona kanë qenë viktima të dhunës në familje, prej 485 rasteve të raportuara në Policinë e Kosovës. Pandemia është shkaktari i kësaj rritjeje, ku vetëm gjatë 2020-s në polici janë regjistruar 2.069 raste. Kjo gjendje është konsideruar shqetësuese nga Qeveria e Kosovës, që në programin e vet ka paraparë disa ndryshime në emër të mbështetjes për viktimat e dhunës në familje.
Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, ka thënë se synojnë themelimin e mekanizmit për mbështetje për koordinatorin Nacional Kundër Dhunës në Familje.
“Koordinatori Nacional si pozicion është themeluar në vitin 2012, por gjithë këto vite ka operuar pa një mekanizëm mbështetës, ndërkohë që është dashur të themelohet një i tillë. Në këtë moment jemi duke punuar, duke vlerësuar edhe kapacitetet se sa duhet të ketë, si do të duhet të organizohet konkretisht zyra e koordinatorit dhe shumë shpejt synojmë që ta bëjmë efektiv”, ka deklaruar ajo.
Sipas Shalës, krijimi i kësaj zyre krijon qëndrueshmëri sa u përket adresimit dhe trajtimit të problemeve dhe luftës kundër dhunës në familje.
“Rëndësia e zyrës është sepse krijon një stabilitet institucional për sa u takon zhvillimeve dhe aktiviteteve që kryen një koordinator nacional. Duhet të kemi parasysh që unë për momentin jam koordinator nacional kundër dhunës në familje, edhe paraardhësit e mi kanë qenë zëvendësministra të drejtësisë të cilët gjatë mandatit në qeveri i është dhënë edhe atributi i koordinatorit. Krijimi i zyrës krijon një vazhdimësi në Ministri të Drejtësisë për sa u përket hapave që do të merren për adresimin e dhunës në familje dhe e shkëput nga ajo përkohshmëria politike që mund të ketë koordinatori”, ka thënë ajo.
Krijimi i këtij stafi permanent në zyrën e koordinatorit nacional kundër dhunës në familje, po konsiderohet më se i nevojshëm nga ana e shoqërisë civile.
Adelina Berisha nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës ka thënë se ndërrimi i shpeshtë i koordinatorëve ka bërë që çështje të caktuara të mbesin peng.
tash janë ndërruar diku rreth 4 koordinatorë nacionalë dhe çka ka qenë shqetësim për neve si rrjet i grave është pikërisht ndërrimi i kësaj pozite varësisht prej zgjedhjeve. Kjo ka shkaktuar shpesh edhe moskontinuitet në implementim të strategjisë dhe planit të veprimit në mbrojtje nga dhuna në familje”, ka thënë Berisha.
Tutje, Berisha ka shtuar se kjo do të minimizojë edhe mundësitë që strategji të ndryshme të mos zbatohen.
“Çdo iniciativë për krijimin e një stafi permanent për neve si RRGK është më se e nevojshme dhe e dëshirueshme, e kemi dhënë si rekomandim edhe në të kaluarën, kemi tentuar të gjejmë mënyra për adresim të kësaj çështjeje dhe normalisht tash ky sinjal pozitiv nga Ministria e Drejtësisë ne e shohim si diçka shumë pozitive që do të minimizojë mundësitë që strategjia të mos zbatohet dhe koordinimi të mos funksionojë, për probleme që i kemi pa shumë shpesh”, është shprehur Berisha. Ndërkaq, sipas saj, duhet rëndësi në këtë pikë duhet t’i kushtohet hartimit të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje.
“Kosova i ka pasur dy strategji për mbrojtje nga dhuna në familje, njëra ka qenë e periudhës 2011- 2015 dhe tjetra 2016 - 2020, e cila momentalisht është ende duke u zbatuar për shkak të moshartimit të strategjisë së re që do ta mbulonte këtë vit. Nuk është se ajo strategji ka arritur të implementohet në përpikëri, ka pasur shumë gjëra që edhe aty kanë mbetur pa u implementuar të cilat besojmë që gjatë kësaj periudhe së vakumit kur jemi ende pa një strategji të re do të ndihmonin dhe do ta drejtonin punën në luftim të dhunës në familje”, ka thënë ajo.
Hartimi i kësaj strategjie synohet të bëhet këtë vit, bashkë me dy ndryshime të ligjeve të tjera, ka thënë zëvendësministrja Shala.
“Ligjet patjetër, si ligji për ndihmë juridike falas ashtu edhe ligji për mbrojtje nga dhuna në familje. Gjithashtu edhe zyra e koordinatorit besoj që do të mund ta realizojmë. Në anën tjetër, po formohet grupi punues për draftimin e strategjisë kundër dhunës në familje. Janë të gjithë këta hapa konkretë në drejtim të të cilëve jemi duke punuar intensivisht”, ka theksuar Shala.
Mes të tjerash, në programin qeverisës është përmendur edhe ngritja e kapaciteteve për stafin që merret me trajtimin e rasteve të dhunës në familje.