Arbëri

MD-ja ndryshon Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

Albulena Haxhiu

Foto: Alban Bujari

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se me urgjencë kanë adresuar gjetjet e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ajo u ka bërë thirrje partive politike që ta mbështesin ligjin e ndryshuar.

“Ne nuk kemi draftuar një ligj të ri. Nuk kemi pasur nevojë të draftojmë një version të ri të ligjit, por kemi adresuar vetëm katër çështje”, ka thënë ajo në një konferencë për media të martën.

Sipas saj, versioni me ndryshimet ka rikonstruktuar komisionin mbikëqyrës.

“Sapo të kemi deklaratat e Ministrisë së Financave dhe Qeverisë së Kosovës, ne do ta procedojmë sërish versionin me ndryshime. Sipas njoftimeve që kam nga kabineti, brenda javës do të kemi këto dy deklarata dhe menjëherë do ta procedojmë në Qeveri e më pas në Kuvend”, ka theksuar ajo.

Në fund të qershorit, Gjykata Kushtetuese e pati shpallur të pavlefshëm në tërësi Ligjin për Byronë. Sipas njoftimit, ishin pesë nene që binin ndesh me Kushtetutën.

Ligji ishte dërguar për vlerësim në Kushtetuese nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës. Ligji ishte miratuar në shkurt të 2023-s dhe që nga ajo kohë gjendej në Kushtetuese. PDK-ja ndër tjerash kundërshtonte nenin që ka të bëjë me statusin e Byrosë.

Ligji ishte miratuar në fillim të shkurtit, me mbështetjen edhe të Lidhjes Demokratike.

Ligji parashihte rregullimin e mënyrës dhe procedurat e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme dhe themelimin, organizimin dhe kompetencat e kësaj byroje.
Byroja e konfiskimit të pasurisë ka qenë një prej premtimeve kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje./KP