Arbëri

MD-ja mohon pezullimin e marrëveshjes për burgje me Danimarkën

Foto: Koha / ilustrim

Ministria e Drejtësisë ka deklaruar se marrëveshja mes Danimarkës dhe Kosovës për të burgosurit, nuk është pezulluar. Zëdhënësi i MD-së, Flamur Pireva, i tha KOHËS se është keqkuptim nga mediat daneze dhe se autoritetet kosovare janë në komunikim me ato të Danimarkës.

“Jemi në komunikim me Ministrinë e Drejtësisë në Danimarkë dhe mesa duket gjithçka ka të bëjë me një keqkuptim nga një media atje. Sipas komunikimit me autoritetet atje, nuk bëhet fjalë për pezullim të marrëveshjes”, deklaroi Pireva.

Ai shtoi se Danimarka do të dalë me sqarime për këtë rast.

Mediumi danez “Ekstrabladet” raportoi të hënën se Danimarka ka pezulluar marrëveshjen me Kosovën që të dërgojë në Kosovë të burgosurit që janë dënuar me deportim. Raportimi danez ishte bazuar në njoftimin e Shoqatës së Burgjeve të Danimarkës, që pezullimin e lidhi me mungesë financiare për projektin.

Danimarka ishte paraparë t’i paguante Kosovës 200 milionë euro për dhjetë vjet.


Sallahu mohon se marrëveshja me Danimarkën për burgjet është pezulluar

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka njoftuar të hënën përmes një postimi në Facebook se Mbretëria e Danimarkës nuk është tërhequr nga traktati për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan, me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.

Ai ka shkruar se gjatë ditës ka komunikuar drejtpërdrejt me zyrtarët nga Ministria e Drejtësisë së Mbretërisë së Danimarkës dhe se ata, sipas tij, kanë konfirmuar se qëndrojnë tërësisht pranë zotimeve të dakorduara në Traktat dhe asgjë nuk ka ndryshuar në raport me marrëveshjen e përbashkët.

“Është e rëndësishme të theksohet se tashmë shteti danez e ka ratifikuar Traktatin edhe në Parlamentin e tyre dhe gjithçka po vazhdon sipas planit të paracaktuar drejt përmbushjes së obligimeve të dyanshme mes nesh”, ka shkruar ai.

Ai ka shkruar se edhe Kosova së shpejti do ta procedojë Traktatin për ratifikim në Kuvend.

“Këto informacione kanë për bazë kontaktet e sotme me Ministrinë e Drejtësisë së Mbretërisë së Danimarkës”, ka shkruar ai.

Gjatë ditës së hënë, mediumi danez “ExtraBladet” ka raportuar se Danimarka ka pezulluar marrëveshjen.