Arbëri

MD-ja kërkon dënime më të ashpra ndaj dhunuesve

Ministria e Drejtësisë ka propozuar disa ndryshime në Kodin Penal të Kosovës sa u përket rasteve të dhunimeve seksuale, ngacmimeve seksuale dhe krimeve kibernetike. Ministria tashmë përmes një drafti ka propozuar sanksione shtesë krahas dënimeve sa u përket veprave penale në baza gjinore

Dy ditë pasi në Pejë u raportua për një ngacmim seksual, këtë të hënë edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar paraburgim për një të mitur, të dyshuar për një ngacmim seksual ndaj një të miture.

Muajve të fundit në Kosovë ka pasur rritje të rasteve të raportuara të ngacmimeve seksuale dhe dhunimeve, ku disa prej tyre edhe janë bërë publike. Këto raste kanë bërë që Ministria e Drejtësisë të kërkojë ndryshimin e disa neneve në Kodin Penal të Kosovës sa u përket ndëshkimeve të këtyre rasteve.

MD-ja tashmë ka propozuar ashpërsim të masave ndëshkimore sa u përket rasteve të dhunës në familje, dhunës dhe ngacmimeve seksuale, si dhe tek krimet kibernetike.

Krahas dënimit që parashihet me burgim te këto vepra, kjo ministri po kërkon që personave të cilët dënohen për këto vepra t’u hiqet e drejta për patentë shofer, e drejta për t’u pajisur me pasaportë, e drejta në punësim etj.

“Ne e dimë që Kodi Penal dhunën në familje e dhunën në baza gjinore i ka të kriminalizuara, por situata në terren është komplet ndryshe sa i përket çështjes së zbatimit të vendimeve dhe ndjekjes së rasteve të raportuara. Kemi të bëjmë me tri veprime të cilat ministrja ka paralajmëruar ashpërsim të masave tek çështja e dhunës në familje, ngacmimet dhe dënimet seksuale, dhe duke mos harruar fenomenin te krimet kibernetike” thotë Nazlie Bala, këshilltare në Ministrinë e Drejtësisë.

Por avokati Arianit Koci thotë se institucionet duhet të përfshijnë edhe publikimin e emrave të abuzuesve seksualë, derisa shton se gjykatat nuk i trajtojnë njëjtë këto raste.

“Mendoj që esenciale është të formohen listat publike të abuzuese seksualë të dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm që publiku t’i shohë ato, kjo është primare. Përndryshe, ne jemi shoqëri reaktive kur ndonjë rast bëhet publik atëherë gjykatat reagojnë me efikasitet e dënimet janë meritore e nganjëherë edhe më të mëdha se që duhet, por kemi pasur edhe raste që janë dënime shumë të vogla, mund të ketë raste kur janë dhënë dënime të lehta apo abuzuesit seksualë kanë kaluar shumë lehtë”, është shprehur ai.

Aktualisht Kodi Penal i Kosovës për rastet e dhunimeve seksuale parasheh dënime nga 2 deri në 10 vjet burgim. Ndërsa tek ngacmimet seksuale parasheh dënime nga ato me gjobë e deri në 3 vjet burgim.

Në praktikë këto dënime pak janë parë të aplikohen. Aktgjykimet e gjykatave në vend tregojnë dënime të ulëta e në disa raste edhe me gjobë, sidomos tek rastet e ngacmimeve seksuale.

Institucionet e drejtësisë vazhdimisht janë kritikuar për mënyrën se si i kanë trajtuar këto raste të ndjeshme, duke dështuar në mbrojtjen e viktimave dhe në ofrim të drejtësisë.