Arbëri

Mbyllja e QPS-ve ilegale shkakton reagime. Njohësit thonë se pritet dinamikë e re nga SHBA-ja

Vendimi për mbylljen e Qendrave për Punë Sociale në komunat veriore të Kosovës ka nxitur reagimin e Shteteve të Bashkuara. Ambasada amerikane ka shprehur shqetësimin e saj, duke e cilësuar këtë veprim si të papritur dhe të pakoordinuar. Edhe Bashkimi Evropian ka kërkuar që çështja të zgjidhet përmes dialogut me Serbinë. Ndërkohë, njohësit e politikës paralajmërojnë se administrata e re amerikane mund të sjellë një qasje të ndryshme ndaj Kosovës dhe zhvillimeve në rajon.

Mbylljen e Qendrave për Punë Sociale të drejtuara nga Serbia në komunat veriore të Kosovës e ka kritikuar Ambasada e Shteteve të Bashkuara.

Në një reagim në rrjetin social “X”, Ambasada e SHBA-së është shprehur e shqetësuar, për siç kanë thënë, mbylljen e papritur edhe të pakoordinuar të qendrave të mirëqenies.

“Këto dhe veprime të ngjashme ndikojnë negativisht te mijëra qytetarë të Kosovës dhe rrezikojnë krijimin e pasojave të dëmshme për të ardhmen e Kosovës në Evropë dhe marrëdhëniet tona dypalëshe”, thuhet nga SHBA-ja.

Reagim ka pasur edhe nga Bashkimi Evropian.

Zyrtarë e BE-së kanë thënë se statusi i objekteve të Serbisë në veri të Kosovës, që ofrojnë shërbime sociale, duhet të zgjidhet në dialogun që e lehtëson blloku, duke i bërë thirrje Prishtinës që të mos i mbyllë këto struktura.

Më 8 shkurt, policia pati arrestuar katër zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale në Zubin-Potok nën dyshimin për veprën penale: “cenim i përcaktuesve të votuesve”.

Pas kësaj, të premten e kësaj jave, me urdhër të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, policia ka bastisur dhe mbyllur zyrat e tri qendrave për punë sociale, të cilat operonin ilegalisht në veri.

Sipas policisë, zyrtarë të këtyre qendrave dyshohet se kanë telefonuar qytetarë dhe nën formën e kërcënimit, i kanë detyruar apo udhëzuar se si të votojnë duke i kushtëzuar ndihmat sociale me votën e tyre në favor të një partie politike e cila ishte në garë për zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Por politologu Altin Gjeta, thotë se pavarësisht se në SHBA ka një administratë të re, reagimi i ambasadës nuk përbën qëndrim të ndryshëm nga qasja e viteve të fundit ndaj veprimeve të Qeverisë së Kosovës në veri.

Mirëpo, Gjeta pret ndryshim të dinamikës.

“Megjithatë, prej kohësh SHBA-ja po kërkon një strategji daljeje nga Kosova dhe Ballkani në tërësi. Kjo do të mund të realizohej me arritjen e një marrëveshjeje finale, gjithëpërfshirëse, dhe të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Por, mendoj se administrata Trump, e çliruar nga ngarkesat ideologjike të politikës tradicionale amerikane, do të synojë me shumë gjasë nëpërmjet Richard Grenell, arritjen e një kompromisi të imponuar mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Gjeta.

E njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa, thotë se skena politike në Kosovë, duhet ta kuptojë magnitudën e ndryshimeve ndërkombëtare dhe mbi të gjitha, qasjen që kërkon të ndërmarrë administrata e re amerikane.

“Më shume sesa trajtimi i situatave të tilla të natyrës sekondare, për liderët e vendit, ekziston një domosdoshmëri më e madhe. Kjo është vendosja dhe harmonizimi sa më i shpejtë dhe cilësor i komunikimeve me vendimmarrësit në Washington. Kjo ndodh sa mbi bazën e parimeve dhe vlerave të përbashkëta, aq edhe mbi kontekstin gjeopolitik dhe një strategji të qartë e pragmatike”, u shpreh Çipa.

Më 18 shkurt, ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet në Kosovë, duke kërkuar vota për Listën Serbe.

Edhe Nathalie Loiseau, shefe e misionit të Bashkimit Evropian për monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë, pati thënë më 11 shkurt se Serbia kishte ndërhyrë në zgjedhje përmes trysnisë ndaj votuesve serbë në Kosovë.