Arbëri

Mbyllja e “Mehmet Akifit”, Rama akuzohet se i është dorëzuar presidentit Erdogan

Vendimi për mbylljen e dy institucioneve që financohen nga fondacioni i klerikut turk, Fetullah Gulen, i akuzuar për organizimin e grusht-shtetit të vitit 2016 në Turqi, është quajtur politik dhe është kundërshtuar nga nxënësit e kolegjit “Mehmet Akif” në Tiranë, prindërit e tyre dhe nga pedagogë e përfaqësues politikë. Por, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mohon që pas këtij vendimi të fshihet diçka tjetër si arsye, përveç asaj që ai e quan zbatim i barabartë i ligjit në rastin e heqjes së një licence shkolle

Mbyllja e kolegjit “Mehmet Akif Ersoy” në Tiranë nga autoritetet qeveritare të Shqipërisë ka nxitur protestën e nxënësve të kësaj shkolle, prindërve të tyre, por edhe pedagogëve e përfaqësuesve politikë. Vendimi për mbylljen e këtij institucioni arsimor dhe paralajmërimi për mbylljen e disa institucioneve të tjera arsimore, shëndetësore e financiare, të gjitha të lidhura me klerikun turk në mërgim, Fetullah Gulen, është quajtur politik.

Pedagogu dhe deputetin Agron Gjekmarkaj, njëkohësisht edhe zv.kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, vendimin e qeverisë për mbylljen e kolegjit e ka quajtur “tronditës”.

“Pasi ka filluar viti shkollor qindra fëmijëve u ndërpritet mësimdhënia aty, një goditje kjo e fortë psikologjike për ta, familjet e tyre e dhjetëra mësues që punonin në atë institucion... Argumentet e përdorura për mbylljen e shkollës ishin qesharake e të sforcuara të cilat të çojnë lehtë drejt përfundimit se ai është një vendim politik. Turqia për ne është një vend mik dhe çdo qeveri shqiptare ka detyrimin që miqësisë t’i përgjigjet me miqësi përtej faktit se kush ngjitet apo bie nga pushteti në Ankara. Turqia ka qenë një vend mik kur kjo shkollë është hapur dhe i kemi falënderuar përzemërsisht po kaq e tillë duhet të mbetet, sot e nesër. Fëmijët shqiptarë, mësuesit e tyre, dinjiteti i ligjeve të vendit, Shqipëria vetë nuk duhet të nëpërkëmben për arsye të konflikteve politike as brenda e aq më pak jashtë Shqipërisë. Shqipëria është vend sovran dhe i pavarur... Edi Rama duhet të tërhiqet nga ky vendim i cili komprementon sovranitetin tonë dhe cenon të drejtën për arsim të fëmijëve shqiptarë”, ka shkruar Gjekmarkaj në reagimin e tij.

Fondacioni Gulistan, pjesë e të cilit është edhe kolegji ‘Mehmet Akif” është shprehur i vendosur për të mundësuar vazhdimin normal të aktivitetit arsimor.

Por, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mohon që pas këtij vendimi të fshihet diçka tjetër si arsye, përveç asaj që e quan zbatim i barabartë i ligjit në rastin e heqjes së një licence shkolle si plot të tjera më parë.

“Përdorimi i fëmijëve pastaj për të fshehur fajin karshi ligjit, prindërve dhe vetë nxënësve, duke luajtur rolin e viktimës së qeverisë, kur në fakt je verifikuar jo një po dy herë në shkelje, tregon ndërgjegje të ulët në raport me misionin e lartë të një vatre edukimi. Ta shesësh godinën ku ke lejen e aktivitetit shkollor dhe të hapësh aktivitetin diku tjetër, pa marrë lejen sipas ligjit, pa plotësuar kriteret e pa përmbushur standardet e kërkuara ligjërisht, është një shkelje për të cilën ligji parashikon heqjen e licencës. Pas çdo vendimi kërkohet një qëllim tjetër nga i vërteti dhe bombardohet publiku me lajme të rreme e me teori konspiracioni! S’ka asgjë të tillë dhe asnjë qëllim tjetër përveç zbatimit të barabartë të ligjit në rastin e heqjes së një licence shkolle si plot të tjera më parë”, ka arsyetuar Edi Rama në reagimin e tij.

Pas kritikave publike të këtij vendimi, edhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi, të premten tha se shkollës i është hequr licenca për shkak se godina e Kolegjit Mehmet Akif është ndryshuar pa leje dhe nuk i plotëson më kushtet. “Kanë filluar procesin mësimor 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pamiratuara nga Ministria e Arsimit e Sportit (MAS), pra pa certifikimin ligjor përkatës të standardeve të godinës”, ka shkroi Kushi në Facebook.

Shumë persona në Shqipëri e kritikuan vendimin dhe e lidhën atë me thirrjet e përsëritura të presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan që Shqipëria të mbyllte institucionet e lidhura me armikun kryesor të Erdoganit, Gylenin, i cili jeton në mërgim që nga viti 1999 në SHBA.

Erlis Çela, pedagog dhe publicist, ka thënë se kolegji u mbyll “sepse presidenti turk e kërkoi këtë”.

“Duke lejuar që një konflikt dhe një çështje e brendshme e një vendi tjetër të futet në shoqërinë shqiptare dhe në arsimin shqiptar, ai i ka bërë dëm Shqipërisë, pasojat e të cilit do t’i vuajmë për një kohë të gjatë. Ky vend është kthyer në një çmendinë të madhe ku çdo gjë mund të ndodhë dhe askush nuk flet”, ka thënë Çela.

Përfaqësues të Kolegjit “Mehmet Akif Ersoy” kanë thënë se të enjten janë njoftuar nga mediat për urdhrin e mbylljes dhe se do të ndërmerrte hapa ligjorë për ta kundërshtuar atë. “Shkolla e mesme jopublike ‘Mehmet Akif’ është pjesë e Fondacionit Gulistan prej 26 vitesh në Shqipëri, duke zbatuar me përpikëri kuadrin ligjor të vendit, duke gëzuar një histori të madhe suksesi, pasi është renditur vazhdimisht në krye të lista e shkollave më të mira”, është thënë në reagimin e kolegjit. Sipas tyre më 14 shtator është kryer një inspektim nga Ministria e Arsimit dhe më 22 shtator është njoftuar me postë se institucioni nuk i plotëson kriteret për të vazhduar punën.

“Përballë një vendimi të tillë, ne jemi plotësisht të bindur se drejtësia do ta thotë fjalën e saj. Fondacioni Gulistan do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të mundësuar vazhdimin normal të aktivitetit arsimor”, kanë shtuar ata.

Kërkesat për mbylljen e këtij institucioni dhe të tjera institucione arsimore, shëndetësore e financiare janë adresuar disa nga herë nga pushteti në Turqi. Vetë presidenti Erdogan dhe qeveria e tij kanë akuzuar Gylenin dhe rrjetin e tij për orkestrimin e një grushti të dështuar shteti në vitin 2016 dhe e përkufizojnë rrjetin si “Organizata Terroriste Fethullahiste”, ose shkurt “FETO”.

“Dëmton thellësisht kombin tonë që FETO mund të operojë ende në Shqipëri. Në periudhën e ardhshme, pritshmëria jonë më e sinqertë është se do të ndërmerren hapa më konkretë, këmbëngulës dhe të shpejtë kundër strukturave të FETO-s në Shqipëri”, ka thënë Erdogan gjatë një fjalimi në Kuvendin e Shqipërisë në janar.

Erdogan ka kërkuar nga shteti shqiptar që para vizitës së tij që e kishte planifikuar përpara se të mbyllej muaji i Ramazanit, “gylenistët” që strehohen në Shqipëri dhe biznesit e tyre duhet të goditen. Gjatë vizitës në Shqipëri, Erdogani ka përsëritur dy herë rrezikun e organizatës së klerikut Fetullah Gulen për Shqipërinë.

Mijëra institucione – universitete, shkolla, banka, kompani mediatike, OJQ dhe firma private – të zotëruara ose të drejtuara nga anëtarë të rrjetit Gulistan janë mbyllur që kur autoritetet nën Erdoganin shtypën tentativën për grusht shtet. Qeveria turke vazhdon t’u bëjë presion vendeve të tjera që të bëjnë të njëjtën gjë.

Në Shqipëri, shkollat ​​e lidhura me Gylenin konsiderohen gjerësisht si ndër më të mirat. Kjo nuk është hera e parë që në Shqipëri mbyllet një shkollë e lidhur me Gylenin. Në shtator 2020, qeveria mbylli gjithashtu disa institucione të tjera arsimore fetare dhe laike të krijuara me financim turk. Po ashtu në listë për t’u mbyllur janë dy universitete, “Beder” dhe “Epoka”, si dhe dy qendra kulturore, një portal mediatik, një shtëpi botuese dhe një bankë. Po ashtu, regjimi në Ankara kërkon mbylljen e degëve të Spitalit Amerikan.