Arbëri

Mbyllet procesi i zgjedhjes së rektorit mes dyshimeve mbi të dhënat e kandidatit fitues

Profesori i shkencave politike në Fakultetin Filozofik, Arben Hajrullahu, është zgjedhur rektor në Universitetin e Prishtinës. Kandidatura e tij është kontestuar nga Parlamenti Studentor, një ditë para zgjedhjes. Hajrullahu para dy vjetësh ishte propozuar nga Qeveria edhe për pozitën e ambasadorit në Austri, porse ishte refuzuar nga ky shtet

Me gjashtë vota pro nga anëtarët e Këshillit Drejtues, Arben Hajrullahu u zgjodh të mërkurën rektor i Universitetit të Prishtinës, në raundin e parë të votimit. Në garë për këtë post ishin edhe tre kandidatë.

E, kandidatura e tij u kontestua nga Parlamenti Studentor një ditë para zgjedhjes, të cilët shprehën dyshime për procesin e avancimit në profesor të rregullt. Në një letër publike u tha se Hajrullahu nuk ka paraqitur dëshmi se ka përfunduar studimet baçelor. 

“Kemi hasur në disa shënime në lidhje me prof. Arben Hajrullahu, të cilat është mirë të sqarohen para se të vazhdohet tutje me procesin e zgjedhjes së rektorit. Për profesorin në fjalë figuron që është themelues i disa organizatave joqeveritare, të cilat i gjeni të bashkangjitur, e po ashtu edhe disa shkrime të marra nga reagimi i Fakultetit Filozofik mbi emërimin e tij, ku dyshohet që nuk ka studime themelore baçelor”, është thënë në letrën e tyre.

Për këtë rektori i ri dha një arsyetim.

“Jo vetëm që nuk i kam të përfunduara studimet baçelor, nuk kam dëshmi që e kom përfunduar  ndonjëherë klasën e nëntë, dhjetë, njëmbëdhjetë dhe dymbëdhjetë asnjëherë, se kur kam studiuar dhe jam shkolluar unë kam përfunduar tetë vjet shkollë fillore dhe katër vjet shkollë gjimnaz. Kur kam studiuar, këto çka janë me këta baçelorë e master nuk ka ekzistuar”, ka thënë Hajrullahu. “Unë jam i gatshëm dhe e tërë biografia ime dhe CV-ja është publike për çdo gjë që qëndron aty. Kushdo që ka interes brenda komunitetit të Universitetit apo nga shoqëria të vijnë dhe t’ia ofrojë dëshmitë gjegjëse për atë se çfarë shënoj unë në biografinë time”, ka shtuar ai. 

Hajrullahu është profesor i shkencave politike në Fakultetin Filozofik. Ai para dy vjetësh ishte propozuar nga Qeveria për pozitën e ambasadorit në Austri, por u refuzua nga ky shtet. Hajrullahu ka thënë se kjo ka ndodhur për shkaqe teknike. 

“Kam qenë i dekretuar nga zonja Vjosa Osmani që të jem si ambasador në Republikën e Austrisë, për çështje-kritere teknike, për shkak të dyshtetësisë ajo punë nuk ka funksionuar”, ka thënë ai. 

Plani i tij qeverisës ishte i fokusuar në implementimin e Statutit të ri, ndërkombëtarizimin dhe harmonizimin e programeve studimore të UP-së me tregun e punës. E, luftimi i ngacmimeve seksual nuk u përmend në planet e tij për mandatin katërvjeçar. 

Një ditë më parë KOHA raportoi se studentët dhe stafi akademik kërkuan që rektori i ri të tregojë guxim dhe vendosmëri për t’i luftuar ngacmimet seksuale dhe plagjiaturën.

Në këtë garë ishte edhe Eda Vula, profesoreshë në Fakultetin e Edukimit, Isak Shabani, dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike e Kompjuterike dhe Lidvana Spahiu, profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë. 

Dy profesoreshat nuk morën asnjë votë nga anëtarët e Këshillit Drejtues, ndërsa Shabani, i cili kandidoi për herë të dytë, mori tri vota. 

Ky është konkursi i dytë për zgjedhjen e rektorit. Ky proces dështoi në muajin korrik, pasi asnjë nga kandidatët nuk mori shumicën e votave nga anëtarët e Këshillit Drejtues.

Pozita e rektorit parasheh mandat katërvjeçar, me mundësi të rizgjedhjes edhe për një tjetër. 

Pozitën e rektorit së fundi e mbajti Qerim Qerimi. Ai këtë pozitë e fitoi në vitin 2022, pasi rektori i atëhershëm Naser Sahiti u shkarkua nga Këshilli Drejtues me arsyetimin se nuk tregoi performancë të mirë në menaxhim.