Arbëri

Mbyllet kompania paralele e ujësjellësit dhe mbeturinave në Shtërpcë

Mbyllet kompania paralele e ujësjellësit dhe mbeturinave në Shtërpcë

Foto: KOHA

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të mërkurën ka bërë të ditur se autoritetet kanë ndërmarrë veprime për mbylljen e një kompanie paralele të Serbisë që vepronte në komunën e Shtërpcës.

Kompania “Novo Javno Preduzeće”, e cila ofronte shërbime të ujësjellësit dhe menaxhimit të mbeturinave, është ndërprerë nga operimi pas kërkesës së Njësisë së Mbikëqyrjes së Ndërmarrjeve Publike dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Rizvanolli deklaroi se institucionet paralele që veprojnë nën direktiva të Beogradit nuk kanë vend në territorin e Kosovës.

“Asnjë institucion paralel i Serbisë nuk ka vend në Republikën e Kosovës. Asnjë paralelizëm i institucioneve tona e nën direktivat e Beogradit brenda territorit të vendit tonë nuk do të funksionojë në asnjë formë”, ka shkruar Rizvanolli në Facebook.

Ajo shtoi se Ministria e Ekonomisë do të vazhdojë të punojë për sundimin e ligjit dhe shërbimin e barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.

Ministrja falënderoi Policinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe u bëri thirrje organeve të hetuesisë që të nisin hetime të menjëhershme rreth dëmeve dhe përfitimeve të mundshme të shkaktuara nga kjo kompani e jashtëligjshme.

Për mbylljen ka njoftuar edhe Policia e Kosovës. 

“Policia e Kosovës, pas kërkesës së pranuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe në koordinim me institucionet përkatëse, ka asistuar sot në inspektimin dhe mbylljen e një institucioni paralel të Serbisë i cili ka operuar në komunën e Shtërpcës, saktësisht të kompanisë së ujësjellësit dhe mbeturinave e cila ka funksionuar nën juridiksionin e Serbisë. Policia e Kosovës me njësitë relevante policore dhe në koordinim me autoritetet përkatëse, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në raport me aktivitetin e jashtëligjshëm të kësaj ndërmarrje. Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimet e saj, me qëllim të garantimit të sundimit të rendit dhe ligjit, si dhe respektimit të kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Policia nëpërmjet një postimi në Facebook.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se asnjë institucion paralel i Serbisë s’ka vend në Kosovë.

“Asnjë institucion paralel i Serbisë nuk ka vend në Republikën e Kosovës. Asnjë paralelizëm i institucioneve tona e nën direktivat e Beogradit brenda territorit të vendit tonë nuk do të funksionojë në asnjë formë”, ka shkruar ai në Facebook, derisa ka shpërndarë njoftimin e ministres Rizvanolli.

E kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, ka reaguar pasi është mbyllur ndërmarrja paralele në këtë komunë që merrej me shërbime të ujit dhe mbledhjes së mbeturinave. 

Jevtiq ka thënë se ndërmarrja “Novo Javno Preduzeće”, u mbyll me kërkesë të Ministrisë së Ekonomisë dhe nuk ka pasur ndonjë kërkesë nga instancat gjyqësore. 

Ai, duke folur përpara objektit ku funksiononte ndërmarrja, ka thënë se së pari gjendet atje për shkak të shqetësimit të qytetarëve. 

Ai ka shtuar se Komuna ka bërë leje për licencë të ndërmarrjes që nga viti 2022, por nuk ka marrë përgjigje. 

“Do të jemi në situatë të rrezikimit të shëndetit publik. Pasi nëse nuk ka mbledhje të mbeturinave, do të ketë problem të madh që do të ndikojë në shëndetin e qytetarëve si të Shtërpcës ashtu edhe të atyre që e vizitojnë komunën tonë. Në fillim të vitit 2022 kemi bërë kërkesë procedurale për të marrë licencë për një ndëmarrje publike që do të merrej me shërbimet në Komunën e Shtërpcës. Kemi plotësuar kërkesat dhe kushtet e kërkuara me ligj dhe tash e tri vjet po presim përgjigje, pikërisht nga Ministria e Ekonomisë”, ka thënë Jevtiq.