Ministria e Ekonomisë të shtunën (5 tetor) ka njoftuar se ka mbyllur aplikimin për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje, gjatë ditë më herët sesa ishte planifikuar, pasi u arrit “numër i mjaftueshëm për shumën e caktuar për këtë thirrje”.
Deri në mbylljen e thirrjes, sipas ME-së, gjithsej kanë aplikuar 13.415 qytetarë.
Pajisjet që do të subvencionohen përfshijnë pompë termike (30% e vlerës investive, deri në 2000.00€), kondicioner/klimë efiçiente (40% e vlerës investive deri në 400.00€ për prindërit vetushqyes dhe ata në ndihmë sociale (kategoria I & II), 60% e vlerës investive, deri në 550.00€), kalda me biomasë (dru, pelet dhe briket: 70% e vlerës investive, deri në 1200.00€ dhe stufa individuale (70% e vlerës investive, deri në 435.00€; për prindërit vetushqyes dhe për qytetarët në ndihmë sociale, 90% e vlerës investive, deri në 560.00€).
Tani do të nisë procesi i verifikimit të aplikacioneve.
“Të gjithë ata që kanë aplikuar do të njoftohen për ecurinë e procesit përmes mjeteve të informimit dhe rrjeteve sociale të Ministrisë së Ekonomisë”, thuhet në njoftim.
Thirrja u hap më 12 shtator, ndërsa ishte planifikuar të mbyllej më 11 tetor.
“Subvencionimi i efiçiencës së energjisë mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Ministria e Ekonomisë”, vijon njoftimi.