Arbëri

Mbyllet edhe një institucion paralel në veri

Institucioni paralel në Mitrovicë të Veriut që dyshohet se ka shërbyer si degë e  Ministrisë së Financave të Serbisë

Institucioni paralel në Mitrovicë të Veriut që dyshohet se ka shërbyer si degë e Ministrisë së Financave të Serbisë

Policia e Kosovës të mërkurën ka mbyllur edhe një institucion paralel të Serbisë në Mitrovicën e Veriut.

Zëdhënësi i Policisë për veriun, Veton Elshani, ka thënë se institucioni paralel dyshohet se ka funksionuar si zyrë tatimore e Ministrisë së Financave të Serbisë.

“Në këtë vend kemi hasur në prova që e vërtetojnë dyshimin tonë dhe pas konsultimit me prokurorë, njerëzit që janë hasur aty janë larguar nga ai vend dhe ajo ndërtesë është mbyllur deri në verifikim të plotë të fakteve”, ka thënë Elshani.

Rasti do të hetohet për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”. Nuk ka të arrestuar.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ky institucion paralel ka mbledhur ilegalisht mjetet financiare nga qytetarë e subjekte që jetojnë e veprojnë në Kosovë.

“Mbyllet edhe një institucion paralel i Serbisë në Mitrovicën Veriore. Aktiviteti ilegal i Agjencionit Tatimor të Serbisë do të hetohet nga të gjithë mekanizmat tanë institucional ndërsa ne do të vazhdojmë të luftojmë çdo paralelizëm kriminal të Serbisë përballë institucioneve tona. Ky institucion ka mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarë e subjekte që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës. Haraçi është i dënueshëm dhe rreptësisht i ndaluar për këdo që e zhvillon atë. E në këtë rast, ai zhvillohej nga grupe kriminale lojale ndaj Serbisë agresore dhe figurave si Vladimir Putin”, ka shkruar Sveçla, i cili i ka bashkangjitur edhe videon nga aksioni i mbylljes së kësaj zyre.

Për mbylljen e kësaj zyre ka reaguar edhe Lista Serbe, që ka fajësuar direkt kryeministrin Albin Kurti. Sipas tyre, Kurti nuk po ka çfarë t’u ofrojë votuesve dhe po e drejton fushatën në kurriz të popullit serb.

“Me mbylljen e paligjshme dhe të dhunshme të Administratës Tatimore në Mitrovicë dhe nxjerrjen në rrugë të 80 punëtorëve serbë, Albin Kurti vazhdoi fushatën e tij parazgjedhore, të cilën e drejton ekskluzivisht mbi kurrizin e popullit serb, sepse nuk ka çfarë t’u ofrojë votuesve tij. Sot do të takohemi me punonjësit e Administratës Tatimore dhe do të diskutojmë me ta çdo lloj ndihme dhe mbështetje dhe do t'u përcjellim mesazhin se asnjëri prej tyre nuk do të mbetet pa të ardhura dhe se jetesa do të jetë e siguruar. Ndërsa Kurti me forcë me njësitë e tij policore dhe ministrat e bindur si Nenad Rashiq pushton dhe rrëmben ndërtesat dhe objektet serbe, ai nuk mund të bëjë që populli serb të largohet nga vatrat shekullore dhe as të pengojë ne dhe shtetin e Serbisë që të ndihmojmë popullin tonë”, thuhet në reagimin e tyre.

Kohëve të fundit, Policia e Prokuroria e Kosovës kanë mbyllur disa institucione paralele serbe, gjithandej Kosovës, veçanërisht në veri.