Arbëri

KQZ-ja mbyll tri qendra votimi në përfaqësi diplomatike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar disa vendime për organizimin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, përfshirë mbylljen e tri qendrave në përfaqësitë diplomatike. Në mbledhjen e së martës është marrë vendim edhe për akreditimin e vëzhguesve të organizatave e ambasadave, si dhe janë miratuar dizajni dhe slogani i zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim të martën që të mbyllë tri qendra të votimit në përfaqësitë diplomatike në Ankara (Turqi), Kanbera (Australi) dhe Iowa (SHBA).

Ky vendim i KQZ-së u mor shkaku i numrit të vogël të votuesve në këto qendra.

Anëtari i KQZ-së nga PDK-ja, Arianit Elshani, ka thënë se votuesit e regjistruar në këto qendra mund të votojnë përmes postës në kutitë postare, të hapura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Bëhet fjalë për Kanbera në Australi, e cila ka pasur 18 votues të regjistruar, bëhet fjalë për Ankaranë në Turqi me 25 votues të regjistruar për votim fizik dhe Iowa në SHBA me 32 votues të regjistruar për votim fizik. Votuesit të cilët kanë qenë të regjistruar për votim fizik në këto tri përfaqësi diplomatike do të udhëzohen që të votojnë me postë brenda kutisë, në kuti postare në vendin përkatës”, ka thënë Elshani.

Në mbledhjen e KQZ-së janë vendosur po ashtu edhe dizajni dhe slogani për fushatën e informimit publik.

“Kemi rekomandim për dizajn dhe sloganin që do të përdoren për këto zgjedhje, deri më tash jemi marrë me të gjitha materialet, janë marrë të përgatitura brenda Sekretariatit nga stafi i angazhuar si i përkohshëm. Slogani është ky: “Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, vota jote për Kosovën 2025”, ka thënë Elshani.

Për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, qytetarët që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësi të votojnë edhe nëpër ambasada e konsullata të Kosovës në rreth 20 vende të botës.

Ndërkohë të martën KQZ-ja ka akredituar edhe grupin e radhës prej 1.680 vëzhguesve, prej të cilëve 13 sish nga trupa të menaxhimit të zgjedhjeve nga shtete të ndryshme, 81 vëzhgues të përfaqësive të vendeve të huaja të akredituara në Kosovë.

1.126 vëzhgues janë nga OJQ-të vendore, 393 vëzhgues nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, si dhe 67 vëzhgues nga Institucioni i Avokatit të Popullit.