Arbëri

Mbrojtja e Shalës: Sabit Januzi u vu në kurth prej ZPS-së

Mbrojtja e Haxhi Shalës, në rastin e dytë të Gjykatës Speciale për frikësim të dëshmitarëve, pretendon se të akuzuarit janë futur në kurth prej dëshmitarit 1,  që ishte nën shërbim të qëllimeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Në dosjen paraprake të mbrojtjes thuhet se provat e ZPS-së duhet të hidhen poshtë, meqë në këtë rast Prokuroria nuk ka bërë ndjekje penale të ligjshme, por i stimuloi të akuzuarit me ofertën e dëshmitarit që ta tërheqë dëshminë për 200 mijë euro

Në prag të nisjes së gjykimit të Haxhi Shalës, Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit për krime kundër administrimit të drejtësisë, Gjykata Speciale me seli në Hagë, e ka bërë publike dosjen paraprake të mbrojtjes së Shalës, ku pretendohet se Sabit Januzi u vu në kurth prej Prokurorisë.

Të tre të pandehurit në këtë rast akuzohen për frikësim gjatë procedurës zyrtare lidhur me një dëshmitar që pretendohet se është kontaktuar dy herë gjatë prillit të 2023-s, si dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare në këtë rast të zyrtarëve të prokurorisë e gjykatës.

Në dokumentin që shërben edhe si indikacion për strategjinë e mbrojtjes, avokati i Shalës, Toby Cadman, ka shkruar se i akuzuari Januzi është stimuluar të kryejë vepër penale nga dëshmitari që i tha se do ta pranonte ofertën që për 200.000 euro do ta tërhiqte dëshminë.

Mbrojtja e Shalës pretendon se Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka udhëzuar dëshmitarin për t’i shtyrë tani të akuzuarit drejt kryerjes së veprës penale.

“Përderisa Mbrojtja kundërshton pranueshmërinë e incizimit të takimit të 12 prillit 2023, pretendon se do të tregojë se propozimi për pagesën e 200.000 euro erdhi prej dëshmitarit 1 dhe jo Sabit Januzit, dhe se kjo nuk është në përputhje me deklaratat për takimin që i ka dhënë dëshmitari 1 dhe Sabit Januzi. Së dyti, arsyet përse dëshmitari 1 i jep për mosshpalosjen e ekzistimit të incizimit të mëhershëm janë të paqarta dhe jo fort të qëndrueshme. Të dyja këto prova e mbështesin në shikim të parë propozimin se oferta për t’u paguar dhe incizimi i takimit u bë me iniciativë të ZPS-së”, thuhet ndër të tjera në dosjen e mbrojtjes së Haxhi Shalës.

E meqë provat sipas mbrojtjes janë nxjerrë në kundërshtim me ligjin dhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ato sipas mbrojtjes, duhet hedhur poshtë.

“Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e ka njohur në mënyrë eksplicite “stimulimin” si mbrojtje legjitime dhe për rrjedhojë, meqë Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të obliguara t’i zbatojnë parimet e GJEDNJ-së dhe praktikës gjyqësore të saj, Stimulimi mund të ngritët si çështje lidhur me procedurën para Dhomave të Specializuara, meqë nuk ka bazë ligjore që e mbështetë atë”, thuhet tutje në dosje..

Në dosjen e avokatit Cadman thuhet po ashtu se mbrojtja pretendon se Haxhi Shala me Sabit Januzin kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm si miq dhe është normale që ata kanë diskutuar vazhdimisht.

Pavarësisht se Sabit Januzi ka dhënë një deklaratë ku e ka pranuar takimin me Shalën, sipas këtij dokumenti, ai ka thënë se dëshmitarin e ka takuar me vetiniciativë e jo, siç pretendon prokuroria, me kërkesë të Haxhi Shalës.

Në këtë shkresë thuhet se edhe Ismet Bahtjari e ka konfirmuar se është takuar me të pandehurin Haxhi Shala dhe me dëshmitarin 1, por se nuk ka folur me Shalën lidhur me dëshmitarin.

Të tre këta të akuzuar i kanë mohuar akuzat e ZPS-së.

Sipas gjykatës, shqyrtimi kryesor në këtë rast pritet të nisë më 8 nëntor.