Virtyt Ibrahimaga, avokat mbrojtës i ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka deklaruar se për ngritjen e aktakuzës ndaj tij janë njoftuar përmes raportimeve të mediave, teksa për “ekzistencën e aktakuzës” është njoftuar sot.
Ibrahimaga ka vlerësuar se aktakuza e ngritur ndaj klientit të tij nuk është objektive dhe se nuk janë përfshirë fare dëshmitë dhe faktet e tyre nga ana e Prokurorisë.
“Pas leximit të aktakuzës, me keqardhje konstatoj se kjo aktakuzë nuk është aspak objektive dhe është ngritur pa zhvillimin e nevojshëm dhe të zakonshëm të procedurave hetimore. Ne si mbrojtje, menjëherë pas intervistës kemi dërguar një mori faktesh dhe dëshmi që dëshmojmë mungesën e ekzistimit të elementeve te veprës penale. Asnjëra nga këto nuk është marrë parasysh nga Prokuroria Speciale. Konform nenit 47 të Kodit të Procedurës penale prokuroria është e detyruar që të marrë parasysh provat shfajësuese të mbrojtjes. Përveç që prokuroria nuk i ka vlerësuar këto prova, ajo nuk i ka përfshirë fare si prova fare në aktakuzë për t'u shqyrtuar nga Gjykata. Kjo është shkelje ligjore dhe tregon qartë për mungesën e objektivitetit te organet të akuzës në hetimet lidhur me këtë rast”, ka thënë ai për KOHËN.
Ai ka vlerësuar se Prokuroria i ka shqyrtuar provat në mënyrë selektive.
“Prokuroria i ka shqyrtuar provat në mënyrë selektive, nuk i ka shqyrtuar fare provat e mbrojtjes si dhe ka ngritur aktakuzë duke u bazuar në një vendim të ZRRE-së, i cili është objekt i shqyrtimit gjyqësor në procedurë administrative nga gjykata kompetente. Prokuroria në rrethana normale dhe sipas procedurave i shqyrton të gjitha provat një dhe bën vlerësimin e tyre para se të ngrihet aktakuza. Po ashtu, prokuroria në rrethana normale nuk ngreh aktakuzë mbi bazën e një vendimi të organit administrativ, nëse ai akt nuk është bërë i plotfuqishëm ose është objekt i shqyrtimit nga gjykata kompetente. Është e pashpjegueshme se për çfarë arsye prokuroria ka nxituar të ngre aktakuzë në këtë rast pa e bërë hetimin si duhet dhe pa pritur vendimin e gjykatës kompetente lidhur me ekzistimin ose jo të shkeljeve ligjore nga i pandehuri Nagip Krasniqi”, ka thënë më tej ai.
KOHA ka mësuar se aktakuza e ngritur është plotësisht e ndarë nga hetimi për të cilin Krasniqi është arrestuar në prillin e vitit të kaluar. Ai ishte arrestuar nën dyshimin e keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit. E gjatë bastisjeve ishin sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, përfshirë tre kompjuterë, një laptop, një celular dhe një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.
Tani, burimet në hetuesi treguan se pas arrestimit për dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare në dy kontrata, Prokuroria e Shtetit ka filluar ta hetojë Krasniqin për tregti të energjisë me një kompani sllovene që nuk kishte licencë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, për të vepruar në Kosovë.