Gjatë pjesës së kundërpyetjeve, avokatja e Krasniqit, Venkateswari Alagendra, e ka kualifikuar Zyrapin si dëshmitar të dyshuar. “Është qëndrim i yni, të nderuar gjykatës, që dëshmia e këtij dëshmitari ka zhvilluar, është ndryshuar dhe kur gjykatësit i kanë bërë pyetje, ai është ndier që të ndihet i detyruar që të japë përgjigje që kanë dashur të dëgjojnë gjykatësit. Ky është qëndrimi ynë. Unë kam detyrën, të paktën detyrën që ta lejoj atë që t’iu përgjigjet pyetjeve”, ka thënë Alagendra
Në ditën e fundit të dëshmisë para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në rastin gjyqësor të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi, është akuzuar nga mbrojtja e Jakup Krasniqit se ka dhënë dëshmi të rreme “për ta mbrojtur lëkurën e tij”.
Gjatë pjesës së kundërpyetjeve, avokatja e Krasniqit, Venkateswari Alagendra, e ka kualifikuar Zyrapin si dëshmitar të dyshuar.
“Është qëndrim i yni, të nderuar gjykatës, që dëshmia e këtij dëshmitari ka zhvilluar, është ndryshuar dhe kur gjykatësit i kanë bërë pyetje, ai është ndier që të ndihet i detyruar që të japë përgjigje që kanë dashur të dëgjojnë gjykatësit. Ky është qëndrimi ynë. Unë kam detyrën, të paktën detyrën që ta lejoj atë që t’iu përgjigjet pyetjeve”, ka thënë Alagendra.
Ajo ka pretenduar edhe se Zyrapi e ka ekzagjeruar rolin e Jakup Krasniqit për ta bërë atë përgjegjës edhe në ato fusha që fare nuk kishte përgjegjësi. Por këtë pretendim e ka mohuar Zyrapi.
“Aspak nuk e kam ekzagjeruar rolin e Jakup Kransiqit. E kam shpjeguar atë sipas pyetjeve që janë bërë, sipas përgjegjësive që kanë pasur në atë kohë”, ka thënë ai.
Pas kësaj, avokatja Alagnedra e ka pyetur dëshmitarin nëse mbi të ka ushtruar dikush ndikim për t’ia hedhur fajin Krasniqit.
“A ka ushtruar ndikim mbi ju dikush për të hedhur fajin mbi Jakup Krasniqin mbi çështjet e ngritura dhe për ta bërë përgjegjës Jakup Krasniqin sa u takon pyetjeve të bëra, sa i takon faktit që ju e dini se ai nuk e ka bërë këtë gjë”, ka pyetur avokatja. E Zyrapi ka mohuar se ka qenë nën ndikim.
“Kurrfarë presioni nuk kam pasur nga askush. Sipas pyetjeve si ka vepruar dhe qysh ka qenë në atë kohë, unë kam shpjeguar se cilat kanë qenë përgjegjësitë dhe kush çfarë përgjegjësie ka pasë… Po e shpjegoj të njëjtën se kush, cilat përgjegjësi i ka pasur. Kurrfarë ndryshimi të deklaratës nuk kam bërë prej deklaratave që kam dhënë para gjykatave me betimin që kam dhënë të tregoj të vërtetën, atë çka di dhe çka ka qenë e imja që unë e di edhe e kam parë, dhe kam mundur të has dhe asgjë tjetër të veçantë… Jam tu e fol realitetin e një sistemi që ka qenë në atë kohë dhe asgjë më tepër”, është përgjigjur dëshmitari.
Ai ka insistuar se Krasniqi ka qenë zëdhënës i UÇK-së, derisa ishte emëruar zëvendëskomandant në nëntor të 1998-s.
“Zonja avokate, unë e kam shpjeguar shumë mirë se kur është vendos Jakup Krasniqi si zëvendëskomandant. Në këtë periudhë... të qershorit e deri në nëntor ka qenë zëdhënës. Kurse në nëntor është vendos si zëvendëskomandant, në ristrukturim. Këtë e kam shpjeguar shumë mirë. Në qoftë se ka pasë detyrë tjetër, unë nuk e kam ditur”, ka deklaruar Zyrapi.
Dëshmitari ka pohuar me kokë kur është pyetur se a është e vërtetë që Jakup Krasniqi nuk ka qenë në asnjërin nga takimet për realizimin e marrëveshjes me Qeverinë Bukoshi dhe se gjatë kësaj kohe nuk ka pasur kontakt me tashmë të akuzuarin. Pas kësaj, dëshmitarit iu prezantua një dokument me disa emra të propozuar për zëvendëskomandant e që ishin Sokol Bashota dhe Ismet Alija, por jo Jakup Krasniqi.
Dëshmitari ka pohuar se Bashota ka qenë prej fillimit si kandidatura kryesore e UÇK-së për zëvendëskomandant të parë.
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dëshminë para Dhomave të Specializuara e ka nisur më 1 korrik. E pas përfundimit të dëshmisë së Zyrapit, gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi – do të rinisë pas pushimit veror, më 19 gusht.